Biznesi në Maqedoni të Veriut ankohet se paguan çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon. Nga Oda Ekonomike mohojnë pretendimet e qeverisë se 70 mijë kompani në tregun e rregulluar paguajnë energji elektrike të subvencionuar dhe të lirë.
Nga Oda Ekonomike bënë analiza për çmimet e megavat orëve në rajon, e ku të dhënat e tyre tregojnë se kompanitë në Maqedoninë e Veriut paguajnë energjinë më të shtrenjtë, ndërsa në Bosnje më të lirë.
Për këtë situatë të keqe, më përgjegjës është qeveria dhe kuadrot e saj, akuzojnë nga sektori civil. Sipas shoqatës “No Pasaran”, personat që menaxhojnë kapacitetet energjetike nuk janë të aftë të përballen me problemet, ndërsa korrupsioni në këtë sektor, thonë ata, edhe më shumë e rrit çmimin e energjisë elektrike.
“Ne nuk jemi optimistë, duke e ditur që prej më shumë se 20 vitesh kemi struktura të këqija drejtuese, mendojmë se ky trend do të vazhdojë dhe qytetarët nuk do të ndihmohen, por vetëm do të rriten fitimet e strukturave të caktuara. Do të ketë përfitim personal, përfitime partiake, do të tërhiqen fonde nga arka e shtetit dhe nuk do të mbahet llogari për mbushjen e buxhetit për të shpëtuar qytetarët”, tha Marjan Nenov, aktivist “No pasaran”.
Faturat e energjisë elektrike të këtyre kompanive janë rritur më shumë se 10 herë. Një pjesë e tyre tashmë janë mbyllur, ndërsa një pjesë tjetër, nëse nuk kanë ndihmë nga shteti, vetë nuk do të mund ta kalojnë dimrin./Alsat.mk