Nën kryesimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mbajtur mbrëmë takimi i katërt i Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi. Gjatë këtij takimi janë evidentuar rezultatet e para të punës së Komisionit, si dhe të angazhimit të shtuar të anëtarëve të tij.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se Kurti, në fjalën e tij hyrëse, theksoi dy udhëzimet administrative që janë miratuar që nga themelimi i Komisionit. Udhëzimi i parë, për Licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj, synon të lehtësojë ardhjen e profesionistëve shëndetësorë të mërgatës dhe të huaj, për të plotësuar ofrimin e shërbimeve që mungojnë ose rrezikojnë të mos ofrohen në institucionet publike shëndetësore. Ndërsa, udhëzimi i dytë, për thjeshtimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale, që nuk kanë paralele të autorizuara në Republikën e Kosovës, do të sigurojë që barnat pa garanci të cilësisë nuk do të mund të futen në konkurrencë për tenderë të shpallur nga institucione publike shëndetësore.
Gjatë takimit, Kryeministri Kurti theksoi se hapat e ndërmarrë deri tani, përbëjnë vetëm një pjesë në rrugëtimin drejt reformave të thella në sektorin e shëndetësisë. Ai po ashtu shfrytëzoi rastin për të falënderuar ish ministrin, dr. Rifat Latifi, për shërbimin gjatë 10 muajve në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe ushtruesen e detyrës së ministrit, dr. Dafina Gexha Bunjaku, për gatishmërinë e saj për të udhëhequr këtë dikaster të rëndësishëm.