Në kampin e KFOR-it në Prishtinë sot është mbajtur ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it, ku Gjeneralmajori i Ushtrisë Hungareze, Ferenc Kajari ia dorëzojë komandën e KFOR-it gjeneralmajorit të ushtrisë italiane, Angelo Michele Ristuccia.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm krerët institucional vendor si presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti por edhe përfaqësues e diplomatë ndërkombëtar.
Komandantja Supreme gjatë kësaj ceremonie të ndërrimit të komandës së KFOR-it tha se Kosova vazhdon të jetë e kërcënuar nga fqinji dhe lufta në Ukrainë.
Por, siç u shpreh ajo ndaj këtyre kërcënimeve Kosova nuk është e cënueshme fal trupave paqeruajtëse dhe institucioneve të sigurisë në vend.
Ndërsa, komandanti i deritanishëm i KFOR-it, Ferenc Kajari tha se është i habitur sa shpejt ka kaluar koha prej kur e mori këtë pozitë, dhe sa shumë arritën.
Duke falënderuar të gjithë për bashkëpunimin, gjeneralmajori hungarez, Kajari tha se gjatë shërbimit të tij në Kosovë kishte marrëdhënie të mira me institucionet e Kosovës.
“Në nivel lokal, marrëdhëniet me institucionet në Kosovë ishte shumë të mira, partnerët ishin gjithmonë të gatshëm të takoheshin dhe të bashkëpunonin edhe pas njoftimit për një kohë të shkurtër – gjë që shpesh ishte e nevojshme. Aktorët ndërkombëtarë dhe kolegët e mi krerë të misioneve, si dhe ambasadorët dhanë mbështetje të jashtëzakonshme dhe besoj se bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit ishte kyç gjatë periudhave më sfiduese. Doja të përfitoja nga ky rast për t'ju falënderuar të gjithëve për miqësinë dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme”, u shpreh Kajari.
Kurse, komandanti i ri i KFOR-it, Gjeneralmajori italian, Angelo Michele Ristuccia u zotua se me përkushtim do t’i përmbush detyrat e tij të përcaktuara në mandatin e OKB-së dhe misionin e KFOR-it.
Komandanti i 27-të i misionit të KFOR-it në Kosovë u shpreh i vetëdijshëm për sfidat që e presin, për të cilat tha se do t’i trajtoj me transparencë dhe vendosmëri.
“Para së gjithash, dua të kujtoj të rënët. Jo vetëm për të rënët tanë të dashur të KFOR-it, por për të gjithë ata që kanë humbur jetën në konfliktet që kanë dëmtuar këtë rajon, për të plagosurit, për viktimat e pafajshme, familjet e të cilëve janë shkatërruar nga dhimbja, e ardhmja e së cilës meriton shpresë. Sakrifica e tyre meriton angazhimin tonë të vendosur për të garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin. Gjithashtu do të doja të falënderoja të gjitha trupat e KFOR-it dhe vendet kontribuuese. KFOR-i është një histori suksesi dhe ky sukses është rezultat i përkushtimit të të gjithë atyre që, politikisht dhe në terren, kanë kontribuar për stabilitetin, sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe që kanë mbështetur zhvillimin e një dialogu konstruktiv ndërmjet palëve. Ato janë pasuri të çmuara, të vlefshme dhe të panegociueshme. Ky angazhim nuk duhet harruar për të ndërtuar një të ardhme më të mire”, theksoi komandanti i 27-të i misionit të KFOR-it në Kosovë.
Sipas tij Kosova tash është më e sigurt dhe stabile sesa kur nisi misionin e tij KFOR-i në Kosovë.
“Jemi tubuar këtu për ndërrimin e 26-të të komandës së forcës së NATO-s në Kosovë, një manifestim konkret i përkushtimit të Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon... KFOR-i mbetet misioni më i gjatë i NATO-s, ndërsa roli i saj është dinamik, siç edhe ka qenë gjithnjë. Për 23 vite, NATO ka qenë pjesë e komunitetit të gjerë ndërkombëtarë...forcat e NATO-s vazhdojnë të punojnë përkrahë institucioneve në Kosovë, Bashkimit Evropian, OSBE-së, dhe Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ne mbetemi të përkushtuar në mbështetjen e paqes, sigurisë, dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë... Sot Kosova është më e sigurt dhe stabile se kur ka filluar Misioni”, u shpreh ai.