Komandanti në largim i KFOR-it në Kosovë, Angelo Michele Ristuccia deklaroi se terreni në veri është i vështirë dhe se po bëjnë maksimumin për të mbrojtur kufijtë. Kështu u shpreh ai teksa u pyet për sasinë e madhe të armatimit që Serbia përmes grupeve terroriste i ka futur brenda territorit të Kosovës. Komandanti i KFOR-it, deklaroi se janë duke bërë një hetim për sulmin e 24 shtatorit në Banjska të Zveçanit. Në fund të mandatit të tij, ai para mediave të premten paralajmëroi vendosjen e forcave shtesë nga Rumania. Sipas tij, zgjidhja e vetme është ajo politike, e cila mundëson paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në vend.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia deklaroi se ngjarjet e fundit në veri, tregojnë se situata mbetet e paqëndrueshme dhe lehtë mund të përshkallëzohet.
Më tej, u shpreh se vetëm zgjidhja politike mund të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm.
Në ditën e agresionit të grupit terrorist serb, komandant Ristuccia tha se ka ndjekur situatën dhe është koordinuar me të gjitha palët.
I pyetur në lidhje me keqpërdorimin e simboleve të KFOR-it nga grupet terroriste serbe, Ristuccia u shpreh se janë duke punuar që të kuptojnë se çfarë pajisje janë konfiskuar nga Policia e Kosovës.
I pyetur se si është sasia e madhe e armatimit nga Serbia në Kosovë, ai tha se terreni është kompleks.
Angelo Michele Ristuccia do të zëvendësohet nga gjenerali turk, Ozkan Ulutash. Të martën e ardhshme është planifikuar dorëzimi i detyrave nga komandanti aktual i KFOR-it.