Komandant Vuçiqi në veri, Sveçla: Po e presim të vijë - mund ta vizitoni në burg
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar pas vendosjes së disa postereve provokues në veri të Kosovës, ku thuhet se “po presin presidentin e Serbisë të vijë” duke e quajtur atë ‘komandant’”.
Sveçla ka porositur se nëse Vuçiq vjen në Kosovë pa lejen e Prishtinës zyrtare, ai do të vihet prapa grilave.
“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, ka shkruar Sveçla.
Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar sot se në korrik do të vizitojë Malin e Zi.