Koalicioni parazgjedhor AAK-Nisma publikon deklaratën politike prej 18 pikash
Lexohet për: 6 min.
AAK NIsma
1 vit më parë
Linku u kopjua

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate pas arritjes së marrëveshjes për koalicion parazgjedhor, kanë publikuar edhe deklaratën e përbashkët politike me 18 pika.

AAK dhe NISMA thonë se janë bërë bashkë për shtetin e Kosovës, në aleancë me të gjithë ata që janë kundër degradimit të saj dhe në partneritet me aleatët strategjikë që i patëm pranë në momentet më kritike të historisë sonë.

Zgjedhjet, Haradinaj-Vetëvendosjes: Votuesi siç ua dha pushtetin, ashtu edhe mund t’ua marrë atë • KosovaPress

Deklarata politike pa ndërhyrje:

- Me qëllim që të mos lejojmë rrezikimin e pavarësisë së vitit 2008;

- Me qëllim të mbrojtjes së karakterit unitar të shtetit;

- Me qëllim të arritjes së marrëveshjes me Serbinë në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës Kosovës;

- Me qëllim që të ndërpresim degradimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve me SHBA-në dhe BE-në, që janë garanci e paqes, sigurisë dhe prosperitetit për tërë Ballkanin Perëndimor;

- Ashtu siç ishim të vendosur për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, sot jemi të vendosur për anëtarësimin e plotë në NATO;

- Me qëllim që t’i japim fund logjikës së funksionimit kontrollit partiak neo-komunist dhe të kthimit të Kosovës në kursin euro-atlantik;

- Me qëllim që t’i japim fund logjikës që nxitë konfliktet e vazhdueshme brenda shoqërisë sonë dhe të promovojmë bashkërenditjen e energjive tona kombëtare e shoqërore në interes të përgjithshëm.

Pajtohemi që Aleanca dhe Nisma, të krijojmë një front të përbashkët politik dhe ftojmë të gjitha partitë politike, nismat qytetare, shoqatat, grupet e ndryshme të interesit, intelektualë të profileve të ndryshme dhe të gjithë ata që janë të bindur në domosdoshmërinë e bashkimit të forcave dhe energjive kombëtare dhe shoqërore që të bashkohen në këtë front për t’i dhënë fund rrezikut që i kanoset shtetit të Kosovës nga kjo qeverisje e keqe, e t’i kthehemi normalitetit, zhvillimit dhe prosperitetit si shtet e si komb.

Vetëm të bashkuar mund ta ndalim të keqen dhe të hapim perspektiva për një jetë të sigurt, të begatshme dhe në harmoni e ku do të respektohet dinjiteti i çdo qytetari të Kosovës.

AAK zyrtarizon koalicionin parazgjedhor me NISMA-n • KosovaPress

1. Jemi përcaktuar që mashtrimin me shifra fiktive te rritjes ekonomike, ta shndërrojmë ne zhvillim real e rritje dyshifrore ekonomike;

2. Ndihmat sociale do t’i shndërrojmë në paga e pensione të dinjitetshme, që nënkupton dyfishimin e tyre;

3. Kosova nuk do të jetë më vend me shëndetësi të sëmurë, ku qytetarët e saj, sëmundjen e marrin në vendin e vet, e shërimin e paguajnë jashtë. Nuk do të jetë vend pa sigurime shëndetësore. Është zotim yni, që sistemi shëndetësor të jetë, të paktën si i vendeve të rajonit;

4. Arsimi nuk do të jetë kurrë më, i renditur në vendet e fundit të PISA-s, por do t’i nënshtrohet një reforme thelbësore, e cila do të garantojë cilësi;

5. Do të ndalet njëherë e përgjithmonë poshtërimi i kategorive të lirisë dhe ata do të trajtohen me dinjitet e me paga të dinjitetshme;

6. Do të jetë përkushtim e investim yni i vazhdueshëm që ta ndalim trendin e braktisjes së vendit dhe të largimit të kuadrove që me aq mund i ka krijuar Kosova;

7. Nuk do të lejojmë njeri që ta ndajë këtë shoqëri, siç po bën klasa politike në pushtet;

8. Do të marrë fund trajtimi armiqësor i komunave që nuk i përkasin partisë në pushtet;

9. Ata që nuk e kanë bërë as edhe një hap për lirinë e këtij vendi, nuk mund të na tregojnë se sa e shtrenjtë është liria; por janë të lirë ta gëzojnë lirinë;

10. Nga përpjekja për kontrollin absolut të të gjitha pushteteve, ato do të jenë të ndara e të paprekshme;

11. Gjyqësori do të trajtohet me dinjitet, e jo me sulme të hapura të qeverisë ndaj tij;

12. Policia dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, do të jenë ndër kategoritë më të vlerësuara dhe më të paguara, e nuk do ndodhë asnjëherë që njësitë elite të policisë të protestojnë para qeverisë;

13. Me në fund do të ndërpritet diktati i pushtetit mbi shoqërinë civile, mediat, institucionet e pavarura, mësimdhënësit, mjekët e infermierët, policinë, prokurorinë e deri te Gjykata Kushtetuese;

14. Në këtë vend do të marrin fund sulmet e “brigadave të paguara” të rrjeteve sociale ndaj njerëzve të ndershëm dhe secili do të përgjigjet për fjalën e vet;

15. Do të ndalen mashtrimet me dialogun Kosovë-Serbi. “Jo e pranova jo se pranova...”

Marrëveshja me Serbinë, vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe me garanci të SHBA dhe BE;

16. Talljet më shtetet mike, që kanë ndihmuar lirinë tonë e që edhe sot janë garant të saj, do kthehen në partneritet e në miqësi pa hile;

17. Nuk do të ketë forcë që mund ta devijojë rrugën e Kosovës në kursin e saj euro-atlantik, me marrëdhënie të posaçme me Amerikën. Kosova në NATO, në BE dhe OKB, nuk është vetëm orientim politik, por edhe popullor i këtij vendi;

18. Sanksionet e BE-se ndaj Kosovës, do të largohen bashkë me këtë qeveri. Sot është koha që njerëzit të mendojnë lirshëm dhe të çlirohen nga mashtrimi hipnotizues i Albin Kurtit dhe më në fund të jenë të lirë.

Jemi të vetëdijshëm që kjo nuk është punë e lehtë. Prandaj jemi përcaktuar që ta krijojmë rreshtin e gjithë atyre njerëzve, qytetarëve, grupeve e individëve, burra e gra, në vend e në diasporë, që ta shpëtojmë këtë vend të mos bie në greminë. Ne jemi përcaktuar të punojmë më pasion e pa arrogancë për këtë synim dhe e kërkojmë ndihmën e secilit prej jush.

Na priftë e mbara!

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025