Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë se nuk pret që Kosova të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.
Kjo, me gjithë faktin se Kosova tha të enjten se i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
“Por, mendoj se vendet anëtare duhet të thonë se e mbështesin nismën e Kosovës dhe duhet të bëjnë thirrje për një samit të jashtëzakonshëm së shpejti - me shpresë brenda disa javësh”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Asambleja Parlamentare e KiE-së ka votuar për pranimin e Kosovës më 16 prill dhe vendimi përfundimtar ka kaluar te Komiteti i Ministrave.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kërkuar sot nga ministrat e Punëve të Jashtme të Këshillit të Evropës që të përfshijë në agjendë anëtarësimin e Kosovës, pas letrës ku qeveria zotohet për hartimin dhe dërgimin e një draft-statuti për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Gërvalla në një konferencë për medie të enjten, tha se ky draft-dokument do të përmbushte obligimet ndërkombëtare të Kosovës, si dhe do të respektonte në tërësi Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Sipas saj, pavarësisht si do të pranohet kjo ofertë e palës kosovare do të procedohet tutje për hartimin e draftit të asociacionit dhe dërgimit të tij në Gjykatë Kushtetuese.