KMDLNJ ka reaguar pas nisjes së reduktimeve me energji elektrike në vend dhe paralajmërimeve për shtrenjtim të rrymës, duke thënë se Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet ta ndërpresë pagesën e rrymës për komunat e veriut dhe t’i trajtojë konsumatorët në përputhje me ligjet në fuqi.
KESCO ka kërkuar nga KEDS-i të fillojë nga sot reduktimet me energji elektrike sipas skemës, 6 me rrymë dhe 2 orë pa rrymë, gjë e cila ka shkaktuar reagime të shumta.
Në reagim, KMDLNJ kujton se Qeveria e Kosovës nuk ka mbajtur premtimin se nuk do të paguajë në të ardhmen faturat e rrymës në veri, duke vazhduar kështu diskriminimin e konsumatorëve të rrymës në baza etnike.
Për më tepër, KMDLNJ kujton se gjykata kompetente me kërkesë të Avokatit të Popullit ka nxjerrë një vendim se është i kundërligjshëm subvencionimi i 100 për qind i faturave për rrymë dhe shërbimeve tjera për serbët dhe të tjerët në veri dhe ka kërkuar që të ndërpritet ky diskriminim në baza etnike.
Ndryshe, KEDS ka theksuar se energjia elektrike e blerë ka shkaktuar humbje enorme, andaj KEDS dhe KESCO nuk mund të bartin më të vetme barrën e krizës botërore energjetike dhe pasojat e saj në Kosovë, duke kërkuar me urgjencë veprimi i akterëve tjerë në përballje me krizën.
Aktualisht prodhimi ditor i Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës (KEK) është rreth 507 MWh, teksa kërkesa për konsum është deri në 750 MWh. Sipas Ministrisë së Ekonomisë humbjet komerciale dhe teknike të KEDS janë 19%.