Organizimi qytetar Klubi “Demokracia Konservatore” ka bërë shpërndarjen e fletushkave sensibilizuese për bojkotimin e produkteve serbe në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Fletushkat kanë për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për bojkotimin e produkteve serbe dhe presionin mbi qeverinë për të marrë vendimet e duhura në lidhje me ekonominë dhe shtimin e inspektimit të produkteve serbe që janë në tregun e Kosovës.
“Bëhet thirrje qytetarëve të vendit tonë që të bojkotojnë prodhimet serbe dhe të mos i konsumojnë. Duke pas parasysh jemi në fund të vitit dhe konsumi i produkteve rritet shumë më shumë dhe duke pas parasysh edhe shpërfaqjen e agresionit serb mbi veriun e vendit, i jemi bashkëngjitur edhe në mënyrë më të hovshme kësaj kampanje, duke pasur parasysh nevojën e vetëdijesimit të të gjithë qytetarëve për refuzimin dhe bojkotimin e produkteve serbe. Krahas këtij bojkotimi nga qytetarët kemi kërkuar përmes fletëpalosjes dhe përmes publikimeve tona të vazhdueshme që edhe Qeveria e Republikës së Kosovës të merr vendime të duhura për të parandaluar këtë invazion ekonomik të shtetit serb në Kosovë. Kemi kërkuar që Qeveria e Kosovës të nisë procesin e reciprocitetit me Serbinë në kuptimin ekonomik dhe në fushat e tjera të nevojshme, dhe të njëjtën kohë të subvencionojë produktet vendore, të shtojë inspektimin e produkteve serbe që janë në tregun e Kosovës”, tha Klinaku.
Qytetari Avni Preznica, i cili e përkrah këtë nismë, tha për KosovaPress se përveç se duhet bojkotohen produktet serbe, ato nuk janë të besueshme për konsumim.
Ibish Burofci, qytetar ka kritikuar biznesmenët të cilët nuk po bojkotojnë produktet serbe.
“Biznesmenët dëshirojnë pare, malli me këqyrë çfarë është, si të shkon për ta është në rregull. Ka rregulla të jashtëzakonshme në tregti... Besoj se nuk duhet të jemi të sigurt me produktet që i sjellin”, tha Burofci.
“Kemi përjetuar luftën dhe jemi në dijeni çfarë është gjenocidi dhe kemi vuajt prej tyre, shpresojmë të bëhet mirë tash... I bëjmë thirrje të gjithëve mos blini produkte serbe”, tha Miftari.