Klinika e Pediatrisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës njofton se një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është pranuar në Emergjencën Qendrore me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve, me ndryshime gangrenoze.
Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar, me dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim. Menjëherë pas pranimit në Emergjencën Qendrore janë realizuar konsultat nga kirurgu plastik dhe pediatri, të cilët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent të fëmijës në Klinikën e Pediatrisë, përkatësisht në repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim të mëtejmë
Fëmija po trajtohet nga një ekip multidisiplinar dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë, por me parametra vitalë stabil.
Fëmija aktualisht ndodhet pa përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor dhe është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit mjekësor dhe të punëtorëve socialë, në përputhje me procedurat për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve në situata të tilla.
Ai ndodhet nën mbikëqyrje të vazhdueshme të ekipit multidisiplinar të Klinikës së Pediatrisë, në bashkëpunim dhe konsultime të rregullta edhe me ekipet tjera specialistike të QKUK-së, sipas nevojës klinike.