Një ditë para vazhdimit të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Faton Klinaku u ka bërë thirrje deputetëve që të mos e miratojnë Projektligjin për pagën minimale nga i cili janë të përjashtuar kategoritë e luftës.
Në një postim në Facebook, Klinaku ka paralajmëruar se në rast votimi të këtij projektligji, atëherë do të detyrohen të organizojnë protesta për të qëndruar para institucioneve, siç është shprehur ai, natë e ditë.
Teksa ka pasur edhe një porosi për deputetët nga radhët e pakicave.
“Mos u rreshtoni kundër interesave të kategorive të luftës së UÇK-së, sepse ju jeni në bashkëqeverisje aty për interesat e pakicave që i përfaqësoni”, ka shkruar Klinaku.
Kuvendi i Kosovës nesër në rend dite ka votimin në parim të Projektligjit për pagën minimale, i cili ka ngjallur debate e reagime të shumta nga pozita e opozita, ku këta të fundit janë deklaruar se nuk do të votojnë pro, nëse nuk përfshihet rritja e pensioneve për veteranët dhe disa kategori të tjera.