Kjo është arsyeja pse ekuipazhi ju shikon me kujdes kur hipni në avion
Showbiz
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Kjo është arsyeja pse ekuipazhi ju shikon me kujdes kur hipni në avion
Sjuardesat
Foto Ilustruese
05/07/2026 - 21:45
Linku u kopjua

Përshëndetja e ekuipazhit të kabinës gjatë hipjes në avion nuk është vetëm një gjest mirësjelljeje. Ajo është pjesë e procedurave të sigurisë, përmes të cilave stjuardesat dhe stjuardët bëjnë një vlerësim të shpejtë të çdo pasagjeri përpara nisjes së fluturimit.

Sipas instruktorit të ekuipazhit të kabinës së Wizz Air, Gabriel Randone, gjatë hipjes në bord, ekuipazhi vëzhgon nëse ndonjë pasagjer shfaq shenja agresiviteti, është nën ndikimin e alkoolit ose ka probleme shëndetësore që mund të ndikojnë në sigurinë e udhëtimit.

Qëllimi i kësaj procedure është të garantohet një fluturim sa më i sigurt për të gjithë.

Kontrolle të veçanta kryhen edhe për pasagjerët që ulen pranë daljeve të emergjencës. Ekuipazhi sigurohet që ata të jenë fizikisht të aftë për të ndihmuar në rast evakuimi dhe të kuptojnë përgjegjësinë që kanë në një situatë emergjente.

Për arsye sigurie, këto vende nuk u caktohen personave nën moshën 16 vjeç, grave shtatzëna, pasagjerëve me nevoja të veçanta, personave obezë dhe atyre që udhëtojnë me fëmijë nën moshën dy vjeç.

Në rast se vendet pranë daljeve të emergjencës mbeten të lira, ekuipazhi zgjedh një pasagjer që vlerësohet i aftë fizikisht për të ndihmuar gjatë një evakuimi. Ky person merr udhëzime për mënyrën e hapjes së daljes së emergjencës nëse lind nevoja, shkruan Oranews, përcjell KosovaPress.

Sipas procedurave të sigurisë, në një situatë emergjente ekuipazhi duhet të evakuojë të gjithë pasagjerët në një kohë shumë të shkurtër, ndaj çdo kontroll i kryer përpara ngritjes së avionit konsiderohet pjesë e rëndësishme e këtij procesi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026