Kirurgu Foianani: Kosova duhet të ketë qendra për trajtimin e traumës
Njohësi i kirurgjisë botërore të traumës Esteban Foianini, pas 25 vjetësh është kthyer në Kosovë, për të ligjëruar në Kongresin e katërt Klinik të Kolegjit të Kirurgëve.
Foianini, i cili pas luftës shërbeu në kampin ushtarak Bondsteel, konsideron se Kosova ka bërë avancime të mëdha si shtet.
Ai vlerëson se punimet shkencore sikurse Kongresi Klinik i shërbejnë përparimit të mjekësisë kosovare.
“Kjo në fakt nuk është hera ime e parë në Kosovë, kam qenë këtu në vitin 1999 dhe në vitin 2000, kam qenë kirurg ushtarak amerikan. Kështu që fillimisht isha në Kampin Able Sentry në Maqedoni dhe më pas erdha në Kosovë, dhe u ktheva këtu në vitin 2000 dhe isha në Kampin Bondsteel për katër muaj. Pra, për mua ka qenë një nder dhe emocion i jashtëzakonshëm që doktor Latifi më ftoi të kthehem dhe dua t'ju përgëzoj ju dhe vendin tuaj, sepse kam parë një ndryshim të jashtëzakonshëm në infrastrukturë dhe më jep kënaqësi të madhe të shoh se si Kosova ka avancuar në 25 vjetët e fundit”, tha ai.
Esteban Foianini, i cili ka një karrierë të shquar në praktikën klinike dhe ushtarake, theksoi se Kosova duhet të ketë qendra për trajtimin e traumës.
“Pra, është e rëndësishme t'i kemi këto konferenca…sepse ne po sjellim ekspertë nga e gjithë bota dhe ata po sjellin njohuritë e tyre për të ndihmuar, trajnuar dhe ndarë përvojat me kolegët tanë në Kosovë. Dhe unë mendoj se kjo është thelbësore për përmirësimin e vazhdueshëm të kujdesit mjekësor. Dhe trauma është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse është shkaku kryesor i vdekjes te njerëzit që janë nga mosha 5 deri 44-vjeç, dhe Kosova ka një popullsi të re. Ju jeni një vend i ri me një popullsi të re, kështu që jeni më shumë subjekt i traumave, dhe trauma përfshin aksidente me automjete, plagë me armë zjarri, plagë me thikë, rrëzime, lëndime elektrike dhe djegie. Pra, është popullata më produktive dhe më e ndjeshme dhe duhet të keni njerëz të trajnuar siç duhet për traumat dhe të organizoni qendra të traumës për të pasur rezultate më të mira”, u shpreh ai për KosovaPress.
Esteban Foianini i cili shërben si Drejtor Mjekësor dhe i Përgjithshëm në Klinikën Foianini në Bolivi në një intervistë për KosovaPress theksoi se pas luftës Kosova nuk kishte as skaner CT, ndërsa sicc u shpreh ai tani shëndetësia kosovare ka përparuar.
Krahas avancimit teknologjisë, kirurgu amerikan i tramuës deklaroi se edhe mjekët kosovar janë të nivelit të lartë.
“Nuk kam pasur rastin të kthehem dhe të vizitoj Spitalin e Prishtinës, e mbaj mend nga 25 vjet më parë. Por mendimi im është se është i trajnuar, ka ndryshuar jashtëzakonisht gjatë 25 vjetëve të fundit qëkur isha këtu, ne kishim vetëm një skaner CT në vend që ishte në Kampin Bondsteel, nuk kishte aftësi angiografie. Ato lloj pajisje moderne janë inkorporuar gjatë 25 vjetëve të fundit dhe nga ajo që kam parë, cilësia e mjekëve tuaj këtu dhe nga prezantimet e bëra është një nivel shumë i lartë, dhe jam shumë i kënaqur që shoh gjithë këtë përparim në Kosovë”, theksoi krirugu.
Në ditën e parë të Kongresit të Katërt Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës janë mbajtur dy simpoziume ku profesorë të njohur vendorë e ndërkombëtarë kanë shkëmbyer praktikat bashkëkohore në fushën e kirurgjisë.
Në kongres po marrin pjesë mbi 50 ligjërues nga SHBA, Gjermania, Austria, Zvicra, Italia, Britania e Madhe, Argjentina, Bolivia, Katari, Republika Domenikane, Greqia, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Turqia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Po ashtu, ligjërata do të mbajnë edhe 66 kirurgë nga Kosova dhe rajoni.
Kongresi i katërt Klinik i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës do të vazhdojë deri më 29 shtator.