Ushtria e Kinës ka "kryer detyra të ndryshme" rreth Tajvanit, por do të vazhdojë me patrullimet e përditshme, njoftoi sot Pekini zyrtar, duke sinjalizuar një fund të mundshëm të stërvitjeve rreth ishullit të këtij shteti aziatik.
E zemëruar nga vizita e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi në Tajvan javën e kaluar, Kina ka kryer stërvitjet më të mëdha ushtarake deri më tani rreth ishullit që e konsideron territorin e saj.
Ushtria kineze njoftoi në një deklaratë të shkurtër për shtyp se operacionet ushtarake rreth Tajvanit "përfunduan me sukses detyra të ndryshme dhe testuan në mënyrë efektive aftësitë e integruara luftarake të ushtrisë".
Ajo shtoi se do të monitorojë "ndryshimet në situatën në ngushticën e Tajvanit, do të vazhdojë trajnimin dhe përgatitjet për luftime, do të organizojë patrulla të rregullta të gatishmërisë luftarake në ngushticë dhe do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial".