Koreja e Veriut po përgatitet të dërgojë trupa shtesë në luftën në Ukrainë, thanë zyrtarët ushtarakë të Koresë së Jugut.
Sipas Guardian, pretendimet se Pheniani planifikon të rrisë mbështetjen për Kremlinin vijnë pasi Donald Trump tha se mund të rivendoste marrëdhëniet e tij me Kim Jong-un, duke e përshkruar liderin komunist si një "njeri të zgjuar" në një intervistë për Fox News.
Kim Jong-un dhe Vladimir Putin nënshkruan një traktat të ndërsjellë të mbrojtjes që synonte forcimin e aleancës kundër asaj që ata e quajtën "hegjemonia perëndimore e udhëhequr nga SHBA".
Në këmbim të vendosjes së trupave, si dhe furnizimit me armë dhe municione, Koreja e Veriut mendohet se dëshiron qasje në teknologjinë e sofistikuar të raketave dhe satelitëve rusë.Zyrtarët e qeverisë ukrainase pretendojnë se Koreja e Veriut ka dislokuar rreth 11 mijë trupa në Kursk të Rusisë. Inteligjenca e Koresë së Jugut raporton se 270 u vranë dhe rreth 2.700 u plagosën.
Koreja e Veriut nuk e ka pranuar publikisht rolin e saj në luftë, por në tetor Putin nuk e mohoi praninë e forcave të Koresë së Veriut në Rusi, ndërsa zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Veriut Kim Jong-gyu deklaroi se një dislokim i tillë do të ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar.