KGJK kërkon rol më aktiv në hartimin e këtij projektligji kompleks
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në hartimin e Projektligjit për realizimin e të drejtës për gjykim brenda afatit të arsyeshëm kohor. Megjithatë, u tha se ky projektligj është kompleks dhe ka kosto të lartë buxhetore që duhet të jetë parasysh nga Kuvendi i Kosovës.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se ky institucion ka dhënë komentet e para në grupet punuese për këtë nismë qeveritare, mirëpo shtoi se do të ketë një kërkesë që gjyqtari i çështjes të ketë mundësi të reflektojë mbi urgjencën e lëndës dhe po ashtu të ketë një justifikim për të treguar pse është penguar procesi gjyqësor në një kohë të caktuar.
Në anën tjetër, anëtari i KGJK-së, gjyqtari, Artan Abazi, tha se barrën kryesore për këtë projektligj duhet të ketë KGJK-ja, pasi e ka rolin kyç në zbatimin e tij.
Krahas këtyre, në mbledhjen e sotme KGJK-ja, mori një sërë vendimesh, ku mes tjerash dërgoj emrat e disa gjyqtarëve për dekret nga presidentja, Vjosa Osmani, si dhe hapi disa konkurse në disa prej gjykatave në Kosovë.
Projektligji për realizimin e të drejtës për gjykim brenda afatit të arsyeshëm kohor është nismë e Ministrisë së Drejtësisë. Sipas tyre, i njëjti do të evitojë pasojat që vijnë nga stërzgjatja e lëndëve në gjykatë.