Një hap i rëndësishëm në peizazhin energjetik të Kosovës është shënuar, pasi u nënshkruan marrëveshjet kyçe ndërmjet Qeverisë dhe MCA-Kosova. Ministria e Ekonomisë nënshkroi Marrëveshjen e Entit Zbatues (IEA) me MCA-Kosova për Aktivitetin Multifunksional të Ruajtjes së Energjisë (MFES), ndërsa Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me (Millenium Challenge Acount – Kosova) MCA-Kosova për Energjinë dhe Aktivitetin e Mbështetjes së Politikave Klimatike në kuadër të Programit Kompakt.
Në njoftim thuhet se këto marrëveshje janë thelbësore për zbatimin e suksesshëm të aktiviteteve të Kompaktit, të cilat janë komponentë integrale të strategjisë së Kosovës për rritjen e sigurisë energjetike dhe kalimin në burime më të pastra të energjisë.
Më tej thuhet se në mënyrë të veçantë, aktiviteti i MFES-it synon të mbështesë sigurinë energjetike të Kosovës dhe tranzicionin në një të ardhme me energji më të pastër, duke përdorur sistemet e ruajtjes së energjisë për rezerva, duke siguruar disponueshmërinë e sistemeve të magazinimit dhe duke reduktuar kostot për të siguruar energji adekuate për Kosovën.
“Programi është hartuar dhe negociuar në një mënyrë që e vendos pronësinë e shtetit në qendër, një vlerë thelbësore e MCC-së që ne e vlerësojmë shumë. Ne jemi të përkushtuar që ta implementojmë programin me sukses dhe në kohë, e që Kosova të merret si shembull i suksesit kur flitet për programet e MCC-së”, citohet ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në komunikatë.
Ministri Liburn Aliu ka theksuar se bashkë me Ministrinë e Ekonomisë dhe MCC-në, po fillojmë bashkëpunimin për një qasje sistematike për llogaritjen e gazrave serrë, kështu për të ndihmuar për Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe sektorin e tyre të ri për inventarin e GS.
“Gjithashtu, do të ketë ndihmë për Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, për të trajnuar dhe rritur kapacitetet e stafit përkatës, për të kuptuar më mirë teknologjitë e ruajtjes së baterive dhe mënyrën e trajtimit të anës së vlerësimit të ndikimit mjedisor të këtyre projekteve”, ka pohuar Aliu, thuhet në njoftim.
Marrëveshja e Entit Zbatues dhe Memorandumi i Mirëkuptimit janë pjesë e Programit Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC). Programi Kompakt MCC prej 202 milionë dollarësh, së bashku me një kontribut prej 34.6 milionë dollarësh nga Qeveria e Kosovës, e çon totalin në 236.6 milionë dollarë.
“Kjo iniciativë adreson sfidën e furnizimit jo të besueshëm me energji elektrike në Kosovë, përputhet me prioritetet e zhvillimit kombëtar dhe energjetik të qeverisë, dhe synon të ulë varfërinë dhe të nxisë rritjen e qëndrueshme ekonomike në Kosovë”, thuhet në komunikatë.