Gjykata Themelore në Drenas ka dënuar me burgim prej 4 muajve Eqrem Avdullahut nga Rahoveci, i cili akuzohet për veprën penale “kanosje”, ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.
Në seancën përfundimtare, gjyqtari tha se i akuzuari dënohet edhe me shumën prej 70 euro, derisa palet mund të ankohen për vendimin.
“I akuzuari Esian Abdullahu është fajtor, sepse përmes rrjetit social Facebook, me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit, seriozisht e kishte kanosur të dëmtuarin Hysni Gucati. Në një fan-page në rrjetin social Facebook me emrin ‘Diaspora në Krye’, kishte postuar një foto të të dëmtuarit me mbishkrimin: ‘Këtij derri duhet pushkatuar’. Me këtë rast, të dëmtuarit i ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij. Gjykata të akuzuarin Esian Abdullahu e gjykon me dënim me burg në kohëzgjatje prej 4 muajsh, të cilin do ta mbajë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, si dhe detyrohet të paguajë shpenzimet procedurale dhe kompensimin për viktimat e krimit.”, u shpreh Baleci.
Hysni Gucati, pas vendimit të gjykatës ndaj personit që e kishte kërcënuar, tha për media se e respekton vendimin e marrë.Ai bëri të ditur se ka edhe raste të tjera të iniciuara në gjykatë ndaj personave që, sipas tij, e kanë kërcënuar.
“Kam edhe diku 16-17 padi që i kam bërë ndaj tyre, nga qytete të ndryshme, Gjermani, Zvicër. Shumica janë jashtë vendit”, tha Gucati.
Sipas Prokurorisë, Avdullahu kishte kërcënuar përmes rrjetit social Facebook kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.
Në aktakuzë thuhet se në një faqe në Facebook me emrin “Diaspora në Krye” ishte postuar një fotografi e Hysni Gucatit me mbishkrimin “Prokuroria heton Hysni Gucatin - mori rrogë për 19 vite si sekretar shkolle pa shkuar në punë”.
Sipas Prokurorisë, më pas i pandehuri, përmes profilit të tij personal në Facebook me emrin “Eqrem Avdullahu”, kishte komentuar: “Këtë derr duhet pushkatu”.