Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) ka mbajtur sot (e premte) mbledhjen e 12-të të Kuvendit të Përgjithshëm, gjatë së cilës u përzgjodhën anëtarët e rinjë të Bordit Drejtues për dy vitet e ardhshme.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se drejtori i Këshillit, Emrush Ujkani, në fjalët hyrëse gjatë këtij takimi shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e palëkundshme dhe kontributin e çmuar të bordit në shkuarje dhe të anëtarëve të EIC përgjatë viteve, duke theksuar se dedikimi dhe angazhimi i tyre kanë luajtur një rol thelbësor në vazhdimin e suksesit të organizatës.
Kuvendi i Përgjithshëm i Këshillit të Investitorëve Evropian, përzgjodhi Bordin e ri Drejtues, i cili do të ketë këtë përbërje: Genond Mesareja, kryesues i Bordit, Visar Paçarada (ProCredit Bank), zëvendëskryesues i Bordit, Gresë Rexhepi (Pëc), drejtoreshë e thesarit të Bordit, Gokhan Acikgoz (Limak Kosovo), sekretar i Bordit, dhe Frosina Islami (Coca-Cola HBC), udhëheqëse e marëdhenieve me BE-në. Sipas statutit të Këshillit, këta anëtarë do të shërbejnë në Bord për një mandat dyvjeçar.
Genond Mesareja, kryetari i ri i Bordit të EIC theksoi mirënjohjen e tij për anëtarët e EIC që i kanë besuar këtë detyrë, duke u zotuar t’i shërbejë avancimit të mëtejmë të misionit të Këshillit.