Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian sot miratoi në lexim të parë liberalizimin e vizave për Kosovën.
Rregullat e reja do t'i lejojnë poseduesit e pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh, në çdo periudhë 180 ditore.Rregullat e reja tani duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian përpara se të nënshkruhen dhe publikohen në gazetën zyrtare të BE-së.
Ministrja suedeze për Migracionin, Maria Malmer Stenergard u shpreh se Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e sigurisë dhe migracionit dhe për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të BE-së.
Kosova ka bërë përparim të dukshëm në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Në bazë të këtij vlerësimi, Komisioni propozoi heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të sigurojë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë nën të njëjtin regjim vizash.
Komisioni do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë aktive zbatimin e këtyre kërkesave, duke përfshirë harmonizimin e politikave të vizave, përmes mekanizmit pas liberalizimit të vizave./KosovaPress