Rreth 40 të burgosur në qendrat korrektuese vuajnë nga sëmundje të rënda. Kështu shprehet kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behgjet Shala. Ai në intervistën për KosovaPress thekson nevojën për ndërtimin e një spitali brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës. Megjithatë, Ministria e Drejtësisë nuk e ka në plan ndërtimin e këtij spitali, meqë nuk ka numër të pacientëve për të arsyetuar themelimin e spitalit.
Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave të Lirive të Njeriut gjatë ditës ka reaguar për vdekjen në kohë të shkurtër të dy të burgosurve.
“Ata duhet të krijojnë kushte brenda këtij departamenti duke siguruar një përkrahje më të madhe profesionale. Mjekë të profileve të ndryshme dhe një kërkesë e ripërsëritur e jona, duhet të ndërtohet një spital brenda sistemit korrektues të Kosovës. Për disa të burgosur, të cilët nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë është lehtë edhe të dërgohen në spital rajonal apo në QKUK. Mirëpo, disa të burgosur që kanë një rrezikshmëri të lartë, aty duhet një përcjellje permanente, është e kushtueshme dhe kërkon kohë. Mandej edhe Forenzika Psikiatrike në Prishtinë edhe brenda QKUK-së nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të burgosur. Është një hapësirë simbolike dhe nuk është në rregull që në një vend ku parësore është shëndeti publik për qytetarët, të sillet aty policia dhe të burgosurit”, thotë Shala.
Më tej, ai thekson se janë rreth 40 të burgosur të cilët kanë sëmundje të rënda.
Megjithatë, Ministria e Drejtësisë nuk ka në plan ndërtimin e spitalit për burgje.
“Në planin zhvillimor dhe legjislativ, nuk parashihet ndërtim i spitalit për burgje duke pasur parasysh specifikat që ka shërbimi dhe kapacitetet ekzistuese. Është në plan zgjerimi i stacionarit, ndërsa shërbimet spitalore, për të qenë ekuivalente me shërbimet e sektorit publik, parashihet të bëhen në spitale publike. Po ashtu, nuk ka numër të pacientëve për të arsyetuar themelimin e spitalit, marrë parasysh edhe kapacitetet humane”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.
Shëndetësia në burgje menaxhohet përmes 10 Njësive Shëndetësore ne Burgje.
Kujtojmë se në të gjitha institucionet korrektuese janë rreth 1500 persona.