Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë mbajti sot konferencën shkencore për harmonizimin e legjislacionit të Kosovës dhe të Shqipërisë në kuadër të integrimeve evropiane. E njëjta u vlerësua e rëndësishme për thellim të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Kryetari i AShAK-ut, Mehmet Kraja u shpreh se kjo konferencë do të kontribuojë Kosovës për përafrim të legjislacionit me BE-në duke u bazuar në përvojën e Shqipërisë.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili e mirëpriti këtë bashkëpunim mes dy vendeve.
Ai nënvizoi se ky proces i harmonizimit të legjislacionit duhet të shërbejë për përafrim më të madh të Kosovës dhe Shqipërisë. Konjufca përmendi edhe bashkëpunimin e mirë me Kuvendin e Shqipërisë, ku komisionet parlamentare mes dy vendeve mbajnë mbledhje të rregullta mes tyre.
Po ashtu, edhe të pranishmit të tjerë e vlerësuan si të dobishme këtë konferencë shkencore për përafrimin më të madh të legjislacionit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë./KosovaPress/