Kërkesat e Serbisë, Osmani: Duhet ta fuqizojmë mbrojtjen e Kosovës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
dwq
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidentja Vjosa Osmani e ka quajtur të rëndësishme koordinimin dhe bashkëpunimin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara jo vetëm për çështje që lidhen me dialogun.

Ajo në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se Kosova e ka pranuar marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit dhe tash kërkon zbatimin e saj të plotë.

“Marrëveshja e ndarë në copëza nuk ka asnjë kuptim dhe nuk ka asnjë kuptim që ajo të zbatohet në mënyrë unilaterale nga Kosova, ndërsa pala tjetër që është Serbia në këtë rast, të ikë plotësisht nga obligimet e saj”, ka thënë Osmani duke shtuar se sa herë Kosova ka punuar ngushtë me Uashingtonin ka pasur sukses.

Ajo i konsideron të ligjshme veprimet e qeverisë për shtrirje të sovranitetit në veri, duke shtuar se bashkëpunimi me aleatët do t'i bënte këto përpjekje të qëndrueshme, duke u reflektuar edhe në politikën e jashtme, nëpërmjet anëtarësimit të Kosovës në institucione ndërkombëtarë.

Duke folur rreth kërkesave të Serbisë për kthimin e gjendjes së mëparshme në veri, duke përfshirë zgjedhje të reja, kthimin në punë të policëve, gjykatësve e prokurorëve serbë, presidentja Osmani tha se Vuçiq nuk duhet të merret seriozisht pasi nuk e dëshiron rikthimin e serbëve në institucione.

“Ai ka gënjyer në të kaluarën dhe të njëjtën gjë bën edhe tani. Jam e bindur se ai nuk e dëshiron pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës sipas të drejtave që atyre u takojnë edhe me Kushtetutën e Kosovës, sepse është pikërisht Vuçiq arsyeja pse ata i bojkotuan, u larguan nga këto institucione. Vuçiq flet, por në fakt veprimet e tij asnjëherë nuk përshtaten me gjuhën e tij dhe në këtë rast nuk duhet t’i marrim seriozisht ato që flet, por ta shohim se si po vepron. Veprat e tij e rrezikojnë stabilitetin tonë, pra ne duhet të fuqizojmë mbrojtjen e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024