Kërcënohen disa deputetë të BDI-së
Lexohet për: 2 min.
BDI-780x470-1
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Disa deputetë të Bashkimit Demokratik për Integrim kanë pranuar mesazhe kërcënuese anonime përmes postës elektronike. Ndërkohë sot ka reaguar kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili dënon çdo formë kërcënimi, përpjekje për dhunë apo nxitje të dhunës.

“Deputetët zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët dhe liria e fjalës është e pacenueshme. Anonimiteti në dërgimin e mesazheve të tilla ose në rrjetet sociale mund t'i japë kërcënuesit një ndjenjë mosndëshkimi, por duhet të pranojmë që institucionet tona janë aktive dhe të afta”, tha Gashi.

Autoritetet policore kanë konfirmuar njoftimin për kërcënimin ndaj ligjvënësve të BDI-së, por pa dhënë hollësi të tjera.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se Njësia për Kriminalitet Ekonomik dhe Kompjuterik është njoftuar me rastin dhe se po merren masa për zbardhjen e tij. Mësohet se kërcënimet janë bërë me datë 23 korrik.

Vetë BDI-ja i ka quajtur kërcënimet si sulm të drejtpërdrejtë ndaj vlerave demokratike dhe institucioneve në vend. “Këto incidente dëshmojnë nivelin e larë të mos durimit dhe urrejtjes që po përhapet në shoqërinë tonë”, thuhet në një reagim të partisë.

Partia shqiptare vlerëson se po bëhet një fushatë e paramenduar për të shantazhuar dhe kërcënuar BDI-në dhe se kjo fushatë, sipas saj, ka për qëllim fshehjen e gabimeve të qeverisë së re.

“Me akuza të imagjinuara dhe veprime të dhunshme ato po përpiqen ta shpërqendrojnë vëmendjen e opinionit publik nga problemet reale dhe rezultatet katastrofike të politikave qeveritare”, thuhet në reagimin e BDI-së. /VoA

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024