KEK-u reagon ndaj KEDS-it dhe KESCO-s: Po fajësoni për përgjegjësitë e juaja
Biznes
Lexohet për: 3 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), të enjten ka marrë me shqetësim lajmin për çështjet e adresuara nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim (KEDS) dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), përmes njoftimit në mjetet e informimit, në lidhje me obligimet kontraktuale ndërmjet palëve dhe KEK-ut.

Lidhur me këtë çështje, KEK ka bërë me dije se kjo kompani sipas marrëveshjes për furnizim me shumicë krijon obligim kontraktual, përkatësisht të nominojë (deklarojë), siç thuhet vetëm njësitë gjeneruese që ka në dispozicion në baza ditore dhe atë një ditë para.

“Tutje, për hirë të korrektësisë dhe qartësimit të opinionit, KEK rithekson se bazuar në kushtet e licencave të gjenerimit, obligimi i KEK-ut mbetet vetëm prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa obligimi i KESCO është FURNIZIMI i konsumatorëve me energji elektrike. Andaj, konsiderojmë se adresimi i KESCO dhe KEDS përmes mjeteve të informimit përveç se nuk ka pasqyruar gjendjen reale, ka shkaktuar edhe huti në opinion”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se, KEK-u në vazhdimësi dhe me përkushtim është duke bërë përpjekje për të përmbushur planin e prodhimit të cilin e ka deklaruar paraprakisht edhe pse në përditshmëri hasim në vështirësi të shumta për shkak të vjetërsisë së njësive gjeneruese.

“Në rrethana të tilla vazhdimisht i mbajmë të informuar palët përkatëse për çdo ndryshim që identifikohet gjatë operimit me njësitë gjeneruese. Kjo për arsye se është në interesin e KEK-ut që përveç kontributit në sigurinë e furnizimit me energji elektrike, gjithashtu edhe në sigurimin e të hyrave nga shitja e energjisë elektrike për të përmbushur buxhetin e planifikuar”, thuhet në fund të reagimit.

Ndërkaq, gjatë ditës KEDS dhe KESCO përmes një njoftimi për media kanë njoftuar se po importojnë energji elektrike mbi 1 milion euro në ditë.

Në komunikatën e KEDS dhe KESCO, thuhet se gjatë këtyre ditëve, me ftohjen e temperaturave është rritur edhe konsumi i energjisë elektrike.

“Fatkeqësisht, paralel me këtë ka ndodh edhe reduktimi i prodhimit vendor”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet po ashtu se “Për ta mbuluar këtë gep, pra sasinë e munguar në mes të prodhimit dhe kërkesës, KEDS dhe KESCO po detyrohen të blejnë energji elektrike në vlerë mbi 1 milion euro në ditë. Në aspektin sasior të dy kompanitë bashkërisht po importojnë mbi 7500 megavat brenda 24 orëve ose deri në 400 megavat në orë”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu sipas KEDS dhe KESCO kjo po ndodh pasi kërkesa ka arritur në mbi 1100 megavat në orë, ndërsa prodhimi vendor nuk mund të tejkalojë më tepër se 700 megavat në orë.

“Pra, po importohet në kohë piku mbi 35 për qind e energjisë elektrike që konsumohet nga konsumatorët”, thuhet në njoftim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024