Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar pas paralajmërimit të grevës siç thuhet të ish-punëtorëve të sigurimit fizik.
Sipas KEK-ut nuk bëhet fjalë për ndonjë organizim sindikal nga dy sindikatat aktive të KEK-ut, por për Sindikatën e ish punëtorëve të sigurimit fizik të cilët nuk kanë kontratë me korporatën tash e 19 vite.Sipas KEK-ut, për sqarim, procesi i shthurjes së KEK-ut ka filluar në vitin 2004/05, faza e parë, me ndarjen e njësive jo-qenësore (9 njësi jo-qenësore përfshirë edhe shërbimin e sigurisë fizike), duke vazhduar në vitin 2006 me ndarjen e operatorit të sistemit dhe transmisionit (KOSTT) dhe në fund, ndarjen e operatorit të shpërndarjes dhe furnizimit (KEDS/KESCO) në vitin 2013.
“Për më tepër, në bazë të dokumentacionit që posedojmë, asnjë nga ish punëtorët e kësaj ish njësie të shthurur në vitin 2004 nuk kanë kontratë pune me KEK sh.a. Në këto rrethana, nga aspekti ligjor, punëtorët në fjalë nuk kanë asnjë mundësi të figurojnë të jenë punëtorë të subjektit juridik KEK sh.a. pasi që ata kanë kaluar tek kompanitë private para se të regjistrohej KEK sh.a. si korporatë në vitin 2005”, thuhet në komunikatë.
“Për më tepër çdo punësim i ri i punëtorëve në KEK sh. a. duhet të bëhet në pajtim me Ligjin e Punës dhe aktet tjera nënligjore, si Udhëzimi i MPMS për krijimin e marrëdhënies se punës ne sektorin publik (2011/14) për punësimet e reja. Lidhur me këtë, duke pas parasysh faktet e lartcekura dhe bazuar në ligjet në fuqi, KEK sh.a. nuk ka asnjë mundësi ligjore për ri-organizimin e këtij shërbimi në kuadër të korporatës”, thuhet në njoftim.
Me tej thuhet se pavarësisht të gjithave, menaxhmentet e KEK-ut gjithmonë kanë bashkë ndjerë me situatën e krijuar nga shumë vite më herët, me ç ‘rast duke pasur synim primar sigurinë fizike të objekteve dhe pronës, përkundër kufizimeve të Ligjit të Prokurimit Publik, menaxhmentet gjithmonë kanë inkurajuar të gjithë OE të suksesshëm që janë kontraktuar për sigurim fizik, që asnjë punëtor i ish njësisë Mbrojtja dhe Siguria të mos mbetet pa punë. Përtej kësaj ka caktuar pagën minimale (mbi kushtet e tregut), sigurimin shëndetësorë dhe shujtën.