KEK-u nuk e ka shtrenjtuar rrymën në Kosovë, KESCO blen nga KEK-u një kilovat më pak se 3 centë
Lexohet për: 4 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Përkundër rritjes së çmimeve për tarifat e energjisë elektrike nga ana e kompanisë për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) mbi 100 për qind për ekonomitë familjare, Korporata e Energjetike e Kosovës (KEK) nuk e ka shtrenjtuar as edhe një centë tarifat për kompaninë KESCO.

Me çmimet e reja, KESCO rrymën e blerë nga KEK-u 2.95 centë e shet 12,5 cent  në tarifën e ditës dhe 6.75 centë në tarifën e natës.

Madje këto çmime të prodhuesit, në këtë rast KEK-ut, mbeten tejet të ulëta për KESCO-n, vetëm 0.0295 centë (afër 3 centë) në 24 orë ditën dhe natën, krahas çmimeve të larta që ishin deri në 500 euro për një megavat në tregun ndërkombëtar.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli konfirmon për KosovaPress se KEK-u nuk është palë e përfshirë në procese të ndryshimeve të çmimeve nga ZRRE-ja dhe si rrjedhojë çmimi i energjisë elektrike për mbulimin e konsumit të Shërbimit Universal (KESCO) mbeten në nivelin aktual 29.50 euro për një MWh(megavat) apo 0.0295 centë kilovatin. 

Bucolli thotë se çmimi për mbulimin e humbjeve në Distribucion dhe Transmetim mbetet në nivelin aktual 36.00 për Mwh apo 3.60  kWh.  

“Nuk ka asnjë ndryshim në çmimet e KEK-ut për konsumatorët e rregulluar. Për më tepër, duke marr për bazë që Tarifat (çmimet) e Energjisë Elektrike të KEK-ut Gjenerimit nuk i nënshtrohen rregullimit tarifor nga ZRRE që nga dt: 01.04.2017 me ndryshimet e realizuara në legjislacionin primar (Ligjet) dhe sekondar (Rregulloret e ZRRE-se). si dhe udhëzuesin e ZRRE-së për Liberalizimin e Tregut të Energjisë, çmimet e energjisë elektrike të KEK-ut janë bazuar në treg të lirë, me negocim të palëve për çmime”, thotë Bucolli.  

Sipas kryetarit të Sindikatës së Pavarur të KEK-ut, Nexhat Llumnica, KESCO furnizohet 24 orë në ditë me çmim prej 29.50 euro për një megavat energji elektrike nga KEK-u, kurse KESCO siç tha ai ka fitim shumë fish më të lartë se prodhuesi, KEK-u. 

“KEK-u furnizon KESCO-n me çmim prej 29.5 euro për një megavat energji elektrike, ndërsa KESCO një megavat ia shet konsumatorëve deri ne 125 euro me tarifat e reja. Kjo gjithnjë edhe me subvencionimin e qeverisë. Për çka ne konsiderojmë ky fitim kaq i madh i KESCO-s është i pa drejtë”, thotë Llumnica për KosovaPress. 

“Derisa KEK-u e shet një megavat 29.50 euro KESCO-s, kjo e fundit këtë e faturon tek konsumatorët 125 euro megavatin në tarifën e ditës, që i bie 400 për qind më shumë se KEK-u”, thotë ai. 

Sikur zyrtarët e KEK-ut kanë theksuar edhe drejtues të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë(ZRRE).

Petrit Pepaj drejtor menaxhues në ZRRE thotë se që nga viti 2017, Zyra e Rregullatorit për Energji nuk I përcakton të Hyrat Maksimale të Lejuara dhe as tarifat për KEK-un, rrjedhimisht çmimi i shitblerjes së energjisë elektrikë në mes KEK dhe KESCO/KEDS bëhen në përputhje me marrëveshje nga të dyja palët. 

 “Çmimi aktual me të cilin KEK shet energjinë elektrike KESCO-s për mbulimin e konsumit të konsumatorëve me shërbim universal është 29.5€/MWh,  ndërsa çmimi me të cilin KEK i shet KEDS-it për mbulimin e humbjeve është 36€/MWh”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga ZRRE.

Ndryshe, ZRRE-ja kishte marrë vendim më 8 shkurt që të shtrenjtohet rryma për ekonomitë. Për këtë kategori tarifat e energjisë elektrike janë ngritur 104 për qind për tarifën e natës, ndërsa për tarifën e ditës 85 për qind. 

Qeveria e Kosovës është zotuar t’i ndaj 100 milionë euro për subvencionimin faturave të energjisë elektrike për bizneset dhe për konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kilovatë. 

Vendimi i ZRrE për shtrenjtim të energjisë elektrike ka hyrë në fuqi më 9 shkurt, vendim ky që po kundërshtohet nga qytetarët,  partitë opozitare si dhe nga iniciativat qytetare.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024