KEDS: Njehsorët masin energjinë saktë, për devijim qytetarët kompensohen
3-Third
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
KEDS: Njehsorët masin energjinë saktë, për devijim qytetarët kompensohen
Zëdhënësja e KEDS-it, Bleona Dallaveraj, ka bërë të ditur se të gjithë njehsorët elektrikë të vendosur nga KEDS-i masin energjinë elektrike saktë, ndërsa, në rast devijimi të gjithë qytetarët do të kompensohen.
Pas pretendimeve nga Lidhja Demokratike e Kosovës se njehsorët nuk masin kohën mirë dhe është më shtrenjtë në mbrëmje, KEDS mbajti një konferencë për media.
Dallaveraj tha se ndërrimet e vërejtura në kohë janë teknikë e njohur e kohës së njehsorëve elektrikë dhe sipas saj nuk ka ndonjë manipulim.
Ajo tha se konsumatorët e prekur nga devijime të mundshme që dalin jashtë normës teknike do kompensohen, qoftë edhe për centin e fundit.
“Të gjithë njehsorët e vendosur nga KEDS e bëjnë matjen e energjisë elektrike me saktësi dhe ky është elementi kyç për çdo faturim dhe nuk është vënë asnjëherë në dyshim.. Po ashtu të gjithë njehsorët janë në përputhje me standardet më të larta evropiane dhe akteve ligjore dhe nënligjore të republikës. Ndërrimet e vërejtura në kohë janë një karakteristikë teknike e njohur e kohës së njehsorëve elektrikë dhe nuk përfaqësojnë manipulim, siç është pretenduar... Në çdo rast kur është konstatuar një anomali, është bërë korrigjimi përkatës në kartelën e konsumatorit në përputhje me procedurat dhe rregullat në fuqi. Kohëzgjatja e tarifave mbetet gjithmonë e njëjtë dhe nëse kalimi në tarifë fillon disa minuta më vonë për të njëjtën vonesë edhe do të përfundojë. Devijime të tilla mund të veprojnë edhe në drejtim të kundërt, duke rezultuar në dobi për disa konsumatorë, varësisht nga zhvendosja e kohës, që e vërteton se është një tolerancë teknike e njehsorit dhe jo e qëllimshme. Patjetër që KEDS dhe KESCO nuk mund të përfitojnë financiarisht nga kjo situatë. Një gjë të tillë nuk e lejon as korniza rregullative, e cila vendoset në bazë të parimit të të hyrave të lejuara maksimale. Ne i sigurojmë të gjithë konsumatorët e prekur nga devijimet e mundshme që dalin jashtë normës teknike se do të kompensohen në mënyrë të plotë, qoftë ajo edhe për centin e fundit”, tha Dallaveraj.
Zëdhënësja Dallaveraj tha se edhe njehsorët që janë të vendosur në shtylla janë inteligjentë dhe se devijimi i kohës është i pamundur.
“Në konferencën e mbajtur nga LDK më datë 25 mars për devijimin e lejuar, janë thirrur në kodin POKO006 kodi i transmisionit dhe jo i distribucionit. Gjithashtu kur është kontrolluar koha në njehsorë jo gjithmonë është kontrolluar regjistri i duhur që shfaq kohën e njehsorit në ekran... Ka pasur polemika edhe për njehsorët, të cilët janë vendosur në shtylla dhe për shumë konsumatorë ka qenë e pamundur që këta njehsorë të arrihen dhe të shikohen edhe fizikisht, por ju njoftojmë që njehsorët e vendosur në shtylla janë njehsorë inteligjentë dhe me ta devijimet e kohës janë të pamundura për shkak se sinkronizohen nga sistemi automatik i qendrës AMK”, tha ajo.
Ndërsa, menaxheri i leximit dhe ndërrimit të njehsorëve, Flamur Kurtaj, bëri të ditur se janë duke u ndërruar njehsorët e përparësi kanë ata që janë shumë të vjetër.
“Njehsorët që janë në përdorim në KEDS të gjithë i kalojnë procedurat deri tek instalimi i tyre për konsumatorë. Ne jemi në proces të ndërrimit, ky është proces yni i punës ne vazhdimisht bëjmë procesin e ndërrimit të njehsorëve, e kemi në rregullore të punës. Jemi duke i dhënë përparësi njehsorëve me vjetërsi më të lartë, kemi njehsorë ende mekanikë, jemi duke i ndërruar”, shtoi Kurtaj.
Krejt këto pretendime filluan në një konferencë për media të Lidhjes Demokratike të Kosovës me paraqitjen e një hulumtimi rreth njehsorëve të energjisë elektrike, që sipas kësaj partie, nuk masin kohën reale. Po ashtu, sipas tyre, në mbrëmje energjia elektrike kushton më shtrenjtë.
Të mërkurën do të mbahet edhe një konferencë nga LDK-ja rreth kësaj çështjeje në orën 17:00. /A. Shala/
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.