Komisioni Evropian shpalosi një paketë substanciale investimesh prej 3.2 miliardë eurosh për mbështetjen e 21 projekteve për ndërlidhshmërinë e transportit, digjitalit, klimës dhe energjisë në Ballkanin Perëndimor.
Kjo është paketa e parë e madhe e projekteve në kuadër të Planit ambicioz Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, të cilin Komisioni e miratoi në tetor 2020. Projektet janë dizajnuar për të sjellë përfitime të prekshme për të gjashtë partnerët në rajon.
Komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, tha se me këtë paketë madhore të investimeve po përshpejtohet realizimi në terren i Planit Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
“I kemi identifikuar këto projekte kryesore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë. Lidhjet më të mira dhe më të qëndrueshme në transport, infrastrukturën digjitale dhe energjinë e ripërtërishme, do ta nxisin ekonominë, do të shtyjnë përpara tranzicionin e gjelbër dhe digjital të rajonit, si dhe do të sjellin një mori mundësish për qytetarët dhe bizneset në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë BE-në. Këto investime do të përshpejtojnë edhe integrimin e rajonit, në përputhje me perspektivën e tij të qartë evropiane”, tha ai.