KDI kundërshton shqyrtimin me urgjencë të projektligjit për Byronë, shkelje e rregullores
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
KDI kundërshton shqyrtimin me urgjencë të projektligjit për Byronë, shkelje e rregullores
Cakolli1234
21/04/2026 - 18:27
Linku u kopjua

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kundërshton mënyrën e shqyrtimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke vlerësuar se janë shkelur procedurat parlamentare dhe janë kufizuar mundësitë për përfshirje të palëve të interesuara në proces.

Menaxheri i programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, në konferencë për media, vlerësoi se organizimi i dëgjimit me urgjencë, është jashtë rregullave të përcaktuara për dëgjime publike legjislative dhe kështu e kufizon mundësinë për pjesëmarrje qytetare, organizatave joqeveritare dhe të gjitha palëve për të dhënë kontribut.

“Në mbledhjen e parë të Komisionit për Legjislacion, i mbajtur sot në ora 9:00 në mëngjes, është diskutuar për organizimin e dëgjimit publik si pjesë të shqyrtimit përmbajtësor të këtij projektligji. Derisa pak orë pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, është thirrur një mbledhje tjetër, në të cilën është marrë, në fakt, vendim me votat e deputetëve të shumicës parlamentare që dëgjimi publik të mbahet qysh ditën e nesërme, pra më pak se 24 orë nga momenti në fjalë. Ky zhvillim pa dyshim që e shkurton në mënyrë të ndjeshme kohën e vendimmarrjes, përgatitjes dhe zhvillimit të dëgjimit publik, duke e krijuar një pikë kthese në tërë procesin, pasi që një afat i tillë nuk lë hapësirë reale për përgatitje dhe kufizon praktikisht mundësinë e palëve të interesuara që të japin kontribute në këtë projektligj”, tha ai.

Ai tha se në të njëjtën kohë gjatë diskutimeve në Komision është reflektuar edhe një qasje kufizuese, e cila ka anashkaluar asistencën e ofruar nga KDI-ja për organizimin e dëgjimit publik, që jo vetëm e cenon bashkëpunimin, por edhe përcjell një mesazh negativ sa i përket përfshirjes së shoqërisë civile në procese vendimmarrëse.

“KDI rikujton që meqenëse Kuvendi nuk e ka mbështetur iniciativën për shmangie të afateve procedurale në shqyrtimin e këtij projektligji, pikërisht për shkak të historikut problematik të tij për shkak të zvarritjeve, konsiderojmë që asnjë rrethanë e tanishme, sado urgjente, nuk e arsyeton shkeljen e procedurave parlamentare dhe të afateve të përcaktuara në Rregulloren e Punës së Kuvendit”, tha ai.

Në fund të konferencës për media ai në emër të KDI-së ftoi Kuvendin që të respektojë standardet e përcaktuara në Rregullore dhe të sigurojë që procesi i shqyrtimit të këtij projektligji dhe i zhvillimit të dëgjimit publik legjislativ të jetë i barabartë, gjithëpërfshirës dhe që si i tillë të garantojë mundësi reale për kontribut nga të gjitha palët e interesit.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026