Nga të shtënat me armë zjarri në Lupç të Podujevës, kanë mbetur katër persona të lënduar nga anëtarët e familjes Hoxha dhe Menxhiqi, prej tyre njëri është në rrezik për jetën.
Mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente në QKUK, Agron Çitaku theksoi se gjendja e dy të plagosurve në Podujevë është më e rëndë, kurse njëri prej tyre është në rrezik për jetë. Sipas tij, të plagosurit tjerë, kanë gjendje stabile.
“Për momentin njëri mund të themi se është në rrezik të tjerët besoj lëshohen pas trajtimit. Gjendja e tyre për momentin është stabile. Njëri përgatitet me hy në sallë e të tjerët do të pranohen në repart. Dy janë të rinj dhe dy tjerë janë në moshë më të shtyrë mbi 50 vjet. Gjendje më të rëndë janë ata më të vjetrit”, tha Çitaku.
Për këtë rast, Policia për Rajonin e Prishtinës kanë thënë për KosovaPress se deri janë tre persona të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Lupç, derisa një tjetër ka marrë lëndime pasi është sulmuar me thikë.