Komuna e Podujevës, Lipjanit, Vitisë dhe Shtimes janë përfituese për zbatimin e masave të efiçencës së energjisë për 13 objekte publike, në vlerë rreth 3.8 milionë euro.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se familjet përfituese të subvencionit të pajisjeve efiçiente për ngrohje sipas të dhënave të marra nga KESCO, kanë ulur mesatarisht konsumin e energjisë për 19 për qind me vitin pasues. Derisa shtoi se në të njëjtën periudhë familjet tjera të vendit, amvisëritë në total e kanë rritur mesetarisht 3.8 për qind konsumin.
Në anën tjetër, drejtori menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi ka thënë se përsa i përket projekteve në sektorin publik gjatë vitit 2023 dhe 2024, ata kanë përfunduar 86 projekte të ngjashme, kryesisht shkolla, salla sportive, qendra te kulturës dhe objekte të tjera administrative.
"Përfituese nga këto projekte janë gjashtë komuna, nga të cilat Suhareka dhe Istogu kanë nënshkruar gjatë javës se kaluar për katër projekte, kurse Podujeva, Lipjani, Vitia dhe Shtimja do të nënshkruajnë sot së bashku me ne në këtë ceremoni, për 13 projekte të reja. Rikujtojmë se përsa i përket projekteve në sektorin publik gjatë vitit 2023 dhe 2024 FKEE ka përfunduar 86 projekte të ngjashme, kryesisht shkolla, salla sportive, qendra te kulturës dhe objekte të tjera administrative, te financuara nga Qeveria e RKS, Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian. Në anën tjetër, në sektorin rezidencial FKEE përmes grantit nga Bashkimi Evropian ka subvencionuar mbi 3 mijë familje për implementimin e masave te efiçiences së energjisë në shtëpitë e tyre", tha ai.