Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka bërë të ditur se nuk i është përgjigjur ftesës së organeve të rendit për intervistim pas organizmit të vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se është hera e parë që ka reagime të tilla për tubime që sipas tij janë mbajtur edhe më herët në Maqedoninë e Veriut.
Në një intervistë për RTK Prime, Kasami ka thënë se po përsëritet situata kur në Maqedoni janë burgosur kryetarë të partive e komunave për çështje të flamurit kombëtar.
Sipas tij, situata e krijuar ka të bëjë me zhvillimet brenda Maqedonisë së Veriut si dhe me ato në rajon.
“Inspektorët e policisë kanë ardhur në komunë për të më intervistuar dhe për të kërkuar që unë të shkoj në stacionin e policisë për të sqaruar rastin, unë kam vlerësuar që nuk kemi çfarë të sqarojmë, dhe në këtë rast bëhet fjalë për një organizim zyrtar të komunës së Tetovës, që kanë qenë të informuar edhe qeveria edhe organet shtetërore. Nuk kam pranuar, kanë njoftuar që do të kem dënim për ngritjen e flamurit kombëtar dhe intonimin e himnit kombëtar, unë jam këtu dhe çfarëdo që ata mundohen të më frikësojnë mua është e kot sepse shqiptarët e kanë tejkaluar frikën, pas luftës së 2001 shqiptarët janë zot të këtyre trojeve”, ka thënë Kasami.
“Kryeministri Kurti është një faktor i rëndësishëm në Ballkan dhe është një lider i pëlqyer të shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, dhe ne vlerësojmë që përkrahja e tij është një indikator që opozita shqiptare në Maqedoni të Veriut është në rrugë të mbarë për tu konsoliduar dhe vlerësojmë që prezenca e kryeministrit Kurti bashkë me kryetarët e partive të tjera opozitare në Maqedonie të Veriut është një përkrahje së paku morale dhe për ne kjo është për tu vlerësuar”, ka thënë Kasami në RTK Prime.
Kasami ka thënë se përkrahja që i është dhënë Kurtit në Tetovë ka alarmuar edhe Beogradin.
Të premten, Kurti ka qëndruar në Maqedoni të Veriut me ftesë të kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami dhe atij të Çairit, Visar Ganiu.
Ai ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit “Adem Demaçi” në Çair, si dhe në një përurim në Tetovë.
Pas kësaj janë ngritur kallëzime penale kundër dy kryetarëve për “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 11 gusht.