Kardiokirurgia nga Kosova e cila jeton dhe vepron në Sarajevë tash e 25 vjet, Ilirjana Haxhibeqiri- Karabdiq konsideron se organizimi i Kongresit të katërt Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës është i jashtëzakonshëm dhe fantastik, për çka tha se janë shkëmbyer përvojat më të avancuara në lëmin e kirurgjisë.
Në ditën e tretë të punimeve të këtij kongresi, që bëri bashkë mbi 500 pjesëmarrës nga vendi, rajoni dhe bota, Haxhibeqiri Karabdiq foli për Kardiokirurgjinë endoskopike.
“Unë kam folur për Kardiokirurgjinë endoskopike që në të vërtetë sot paraqet një ndër metodat më të reja të trajtimit të pacientëve me sëmundje valvulare, mitrale, trikuspidale dhe aortale. Kjo është metoda më e re që sot përdoret në Evropë ku incizionet janë shumë të vogla, janë një deri në dy centimetra dhe pacienti ditën e katërt pas treanit kardiokirurgjik mund të shkojë në shtëpi”, tregoi Haxhibeqiri- Karabdiq.
Kirurgia e zemrës e cila mban pozitë udhëheqëse në klinikë në kuadër të qendrës spitalore e universitare të Sarajevës dhe është profesoreshë e kardiokirurgjisë, Ilirjana Haxhibeqiri tha se karrierën e saj do ta vazhdojë në Sarajevë, porse shprehu entuziazëm për bashkëpunim me kirurgët kosovarë.Kongresi i katërt Klinik i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës ka një program shkencor që paraqesin përparime më të mëdha shkencore.
Ligjërata do të mbahen nga 50 ligjëruesë ndërkombëtarë dhe mbi 65 vendorë e rajonal.