Në procesin e regjistrimit të popullsisë janë regjistruar mbi 600 mijë qytetarë që jetojnë jashtë Kosovës. Megjithatë, regjistrimi për këtë pjesë është i hapur deri me 31 gusht. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, derisa thekson rëndësinë e këtij procesi për qytetarët me nënshtetësi kosovare, paralajmëron penalizime ligjore për ata që nuk regjistrohen.
Thirrje në këtë drejtim për diasporën kanë bërë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla, të cilët kanë kërkuar nga gjithë qytetarët e diasporës të shfrytëzojnë këtë të drejtë.Ndërsa, ka ende qytetarë që nuk janë regjistruar në procesin e regjistrimit të popullsisë të cilët jetojnë në diasporë. Disa prej tyre kanë thënë për KosovaPress se nuk janë të interesuar shumë për këtë proces.
Bashkatdhetari, i quajtur Adi i cili jeton në Gjermani, thotë se ndonëse kjo temë është në diskutim ende me familje, nuk kanë marrë vendosur ende që të regjistrohen.
Ndërsa, kryeministri i vendit, Albin Kurti derisa ka renditur disa arsye që të njëjtit duhet të regjistrohen në këtë proces, ka bërë thirrje edhe ndërmarrësve që të investojnë në Kosovë, pasi siç thotë ai, “Kosova po zhvillohet dhe po përparon, dhe kjo mund të rritet edhe më tej”.
Në regjistrimin e fundit të mbajtur këtë vit, Kosova ka 1.586.659 banorë rezidentë sipas të dhënave preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.