Kaos në Kuvendin e Shqipërisë, opozita bllokon foltoren, nënkryetarja mbyllë seancën
Lexohet për: 3 min.
kuvendi i shqiperise
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kuvendi i Shqipërisë është përcjellë sot me kaos në seancën e radhës plenare.

Deputetë të opozitës kanë bllokuar foltoren.   Kryetari i Gripit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka thënë se PD-ja nuk dëshironte të bllokonte seancën, por është detyruar pasi po shpërfillen të gjitha rrugët e saj institucionale.

Ai listoi disa kërkesa për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, të cilat janë refuzuar nga socialistët.

Gjatë fjalës së tij, Bardhi tha se si asnjëherë më parë, opozitës po i ndalohet e drejta për të propozuar anëtarët e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

“Ashtu siç e kam njoftuar pas mbledhjes se grupit të PD, situata ku mazhoranca e ka përfshirë kuvendin është situatë anormale. Brenda një jave janë rrëzuar tre kërkesa për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, pa dhënë asnjë shpjegim publik.  Pse opozitës nuk i lejohet asi asnjëherë më parë, të bëjë propozimet e anëtareve që ajo dëshiron në Komisionin e Reformës zgjedhore. Jemi detyruar që sot, të nxitur, të kryejmë një veprime për të mos lejuar zhvillimin normal të qytetarëve. Ne do donim sot të flisnim për hallet e qytetarëve, por kur ti i mbyll opozitës rrugët institucionale për të vepruar, padyshim që Kuvendi  nuk zhvillon seancë”, ka deklaruar Bardhi.

Nga ana tjetër deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe komentoi veprimet e një pjesë deputetëve të PD-së veprim ky që detyroi nënkryetaren e Kuvendit Ermonela Felajn të mbyllë seancën.

Braçe tha se deputetët e opozitës duan karriget e ministrave pasi të tyret i kanë “flakur dhe nuk u interesojnë”.

“Ata nuk duan karrige deputeti. Ata duan karrige qeverie. Pa pushtet ata nuk ekzistojnë, siç nuk eksitojnë pa pushtet. Ky është problemi i tyre. Është hall i madh. Karriget e tyre i kanë lënë, të vetmet karrige që kanë marrë janë karriget e ministrave, ato merren me votë, s’janë në gjendje t’i marrin me votë”, tha Braçe.

Ndërsa kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi tha se asgjë nuk e justifikon dhunën ndaj institucionit.

“Sot ishit dëshmitarë të një shfaqje të shëmtuar. Përpjekje për të zaptuar kuvendin e Shqipërisë. Nuk është mënyra e duhur për të kërkuar të drejtat, apo të bërit politikë në Shqipërinë e NATO-s, ndaj mendoj që asgjë nuk e justifikon dhunën ndaj institucionit.”- u shpreh Çuçi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024