Federata e Taekwondos së Kosovës (FTWK) ka fituar të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian të Taekwondos U21, i cili do të mbahet me 11-14 dhjetor të këtij viti në Prishtinë.
Kjo është hera e parë që Kosovës i besohet organizimi i një eventi kaq të rëndësishëm ndërkombëtar në këtë sport.
“Ky kampionat është kampionat zyrtar evropian dhe në këtë kampionat pjesëmarrës do të jenë afër 50 shtete, prej moshave 16 deri 21 vjeç. Ne jemi duke analizuar dhe shikuar për lokacionin i cili është më i përshtatshëm dhe i cili i plotëson kriteret", thotë Agushi duke theksuar se tashmë i kanë dy opsione, Pallatin e Rinisë dhe palestrën ‘1 Tetori".
I pari i FTKW-s thekson se ky do të jetë një rast unik që taekvondistët e Kosovë të dëshmojnë vlerat e tyre pasi ata do të kenë mundësi që të përfaqësohen në të gjitha disiplinat e këtij sporti.Por, kostoja e organizimit të kësaj ngjarjeje, sipas Agushit, do të jetë shumë e lartë, andaj ai ka kërkuar mbështetjen e Ministrisë së Sporti, Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.
“Ky event është shumë i madh ku kostoja e organizimit është një kosto shumë e madhe por kjo në bashkëpunim me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, Komitetin Olimpik dhe Komunën e Prishtinës do të mundohemi që ta realizojmë në mënyrën sa më të mirë. Për ta organizuar dhe për t’i pritur, sepse do të vijnë deri 1000 sportistë si dhe delegacionet, ekipet shtesë, stafi...do të thotë është një numër i madh i njerëzve të cilët do të vijnë në Prishtinë.”, thekson Agushi.
Përveç Taekwondos, dy javë më parë, Kosova fitoi të drejtën edhe të organizimit të Kampionatit Mesdhetar të Karatesë që do të zhvillohet në muajin shtator të këtij viti./A.Bytyqi