Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e kryeqytetit kanë diskutuar sot në një takim mbi vendosjen e kamerave në Prishtinë.
Në një postim në Facebook thuhet se kërkesa për blerjen dhe vendosjen e kamerave brenda hapësirave publike në Prishtinë, e cila ka për qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurinë publike, parandalimin dhe zbulimin e veprave penale, identifikimin, gjetjen dhe kapjen e kryerësve të veprave penale, si dhe arritjen e objektivave tjera të ligjshme policore, është bërë nga Policia e Kosovës, drejtuar Komunës së Prishtinës.
Sistemi i regjistrimit të të dhënave, që do të bëhet nga këto kamera do të krijojë mundësinë e vlerësimeve statistikore, pa përfshirë përpunimin e karakteristikave biometrike dhe menaxhimi i tyre do të bëhet vetëm nga Policia e Kosovës mbi bazën e autorizimeve ligjore të saj, thekson AIP.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës Agjencia për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, komisionare e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), Basri Shabani, drejtor i Drejtorisë Rajonale në Prishtinë- Policia e Kosovës (PK) dhe Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca i Prishtinës, janë zotuar se do të sigurojnë që zbatimi i projekti do të realizohet në harmoni të plotë me legjislacionin përkatës në fuqi.