Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka akuzuar Beogradin zyrtar për vazhdimin e diskriminimit ndaj Luginës së Preshevës.
Ai në një postim në Facebook ka bërë të ditur se mjekët dhe personeli shëndetësor e teknik që ishin të angazhuar në punë gjatë kohës së pandemisë Covid-19 në Shtëpinë e shëndetit në Preshevë, janë lënë në mëshirë të fatit.
Kamberi thotë se para dy muajve ka njoftuar përfaqësuesit ndërkombëtarë lidhur me këtë çështje dhe se më 27 nëntor 2023 i ka dërguar letër kryeministres së Serbisë Ana Brnabiq, me kërkesën që konkluzioni i qeverisë të respektohet edhe në Preshevë.
“As dy muaj më vonë nuk kam marr përgjigje. Nisur nga kjo, të martën, më 16 janar, iu jam drejtuar presidentit të shtetit duke i kërkuar që të shfrytëzojë kompetencat dhe autoritetin e tij dhe të parandalojë këtë diskriminim të paprecendent ndaj të rinjve shqiptarë në komunën e Preshevës. Vazhdimi i heshtjes eventuale nënkupton bashkëpjesëmarrje në këtë diskriminim”, ka shkruar Kamberi.
“Në shkresën dërguar, presidentin e shtetit e kam njoftuar edhe për rastin e studentit të diplomuar të akademisë policore Ahmet Beqiri, e për të cilin, edhe pse me shkollim të lartë, nuk ka vend pune në stacionin policor në Preshevë. Është koha që të parandalohet ky trajtim i pabarabartë që po u bëhet shqiptarëve të Luginës. Heshtja e institucioneve nënkupton bashkëpjesëmarrje. E kur heshtin krerët e shtetit, nënkuptohet që ata vetë janë edhe ideatorët e këtij plani”, përfundon deputeti Kamberi.