“Jysk” jep rrogën e 13-të për 800 punëtorë, Zymberi: Rritëm edhe pagat për 20%
Lexohet për: 4 min.
zymberi-jysk-070123
1 vit më parë
Linku u kopjua

Përkundër që nuk mori asnjë mbështetje prej shtetit, biznesmeni që drejton kompanitë më të njohura në vend ka ndarë pagën e 13-të për 800 punëtorë.

Afaristi Fatmir Zymberi, pronar për Kosovë i rrjetit ndërkombëtar të mobilimit të shtëpive “Jysk” si dhe atij të ushqimeve “KFC”, përveç pagës së 13-të, po ashtu ka ngritur pagat 20% për të gjithë punëtorët.

Madje, për ta ruajtur fuqinë punëtore, Zymberi ka kërkuar nga biznesmenët e tjerë që ta motivojnë stafin e punës me bonuese dhe rritje të pagave.

Biznesmeni Zymberi tregon për KosovaPress se mbështetja e punëtorëve ka ndikuar që të ketë një numër tejet të vogël të atyre që ia kanë braktisur punën.

Muzicienti i suksesshëm në afarizëm, thotë se fitimet e kompanive duhet të ndahen me punëtorët.

“Të gjitha kompanitë kanë vështirësi për punëtorë të kualifikuar, por për kompanitë tona, ‘Jysk’ dhe ‘KFC’, ne nuk kemi ndonjë problem serioz, për shkak se ne në vazhdimësi kemi pasur ngritje të pagave për punëtorët, po ashtu ka pasur edhe bonuse të ndryshme. Në ‘Jysk’ mund të ketë pasur një lëvizje të punëtorëve vetëm 7 për qind gjatë gjithë vitit… Megjithatë ne kemi motivuar punëtorët ashtu siç rriten çmimet dhe të hyrat. Shpesherë mund të harrohen punëtorët nga punëdhënësi, dhe kjo shkakton pasoja. Mirëpo, ne kemi ecur në këtë drejtim, kështu që kemi implementuar edhe rrogën e 13-të për të gjithë punëtorët. Këtë pagë e kanë marrë para pak ditësh, më datën 23 dhjetor. Komplet kjo ka ndodhur për të gjithë punëtorët në ‘Jysk’, për hir se e kanë merituar dhe madje ndihen të motivuar. Kjo mbështetje do të vazhdojë secilin vit me radhë… Në vitin 2022 pa rrogën e 13-të, pagat janë rritur 20% për punëtorët. Ne vetëm në Kosovë i kemi diku rreth 800 punëtorë. Së bashku me të të gjithë bashkëpunëtorët, që dikush i quan punëtorë, ne suksesin e kemi të njëjtë, por edhe fitimet duhet të ndahen pak”, thekson Zymberi.

Sa i përket krizës ekonomike të shkaktuar nga inflacioni i lartë, biznesmeni me nënshtetësi norvegjeze, Zymberi thotë se viti 2022 ishte vit i mirë biznesor, por me sfida serioze.

“Viti 2022 nga ana biznesore ishte i mirë, madje më i mirë se viti i kaluar. Por ky vit që po lëmë pas ka qenë vit i çuditshëm për arsye se ka pasur sfida, mirëpo kjo neve na bën më të fortë, pasi që gjithmonë zgjidhja ekziston. Kështu që si vit ka qenë i mirë, me sfida serioze. Nuk e dimë për vitin 2023, mund të jetë kështu ose më mirë, por deri tash ne mundemi me qenë të lumtur me të gjitha arritjet që i kemi pasur si kompani në Kosovë”, thotë ai.

Ai deklaron se krahas kësaj krize financiare globale që preku edhe Kosovën, dhe si kontribuues i buxhetit të shtetit, nuk kanë marrë asnjë mbështetje nga qeveria.

Përveç kësaj, ai shprehet se është e nevojshme për bizneset furnizimi i rregullt me energji elektrike dhe rritje të investimeve.

“Ne si kompani për vitin 2022 nuk kemi asnjë gjë të veçuar që janë ndihmuar bizneset tona nga ana e qeverisë. E dimë që ka pasur pako të ndryshme për pensionistë, studentë, raste sociale dhe për punëtorë të sektorit publik, por ne si biznese direkte s’kemi marrë asgjë… ajo çka ne kërkojmë prej qeverisë, është që ta kemi një shtet stabil, të ketë energji elektrike me çmim të përballueshëm dhe furnizim të rregullt, infrastrukturë, investime kapitale. Të gjitha këto parakushte janë elemente që i ndihmojnë të gjitha bizneset”, thotë ai.

Sipas tij, Kosova nuk ka taksat e larta për bizneset krahasuar me vendet e rajonit.

Për vitin 2023, Zymberi pret që bizneset e tij të kenë rritje 15 -20 për qind dhe rritje të punësimit deri në 12 për qind. Po ashtu, ai si kryetar i bordit, përsëriti se data 9 mars mbetet dita kur pritet të hapet qendra më e madhe tregtare “Prishtina Mall”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025