Gara për të zëvendësuar Liz Truss, në detyrën e kryeministrit të Britanisë, u bë edhe më e ashpër të shtunën me kthimin e ish-udhëheqësit Boris Johnson në Mbretërinë e Bashkuar, mes spekulimesh se po kërkon të rikthehet në detyrë. Ai ndodhej me pushime në Republikën Domenikane.
Tre muaj më parë zoti Johnson dha dorëheqjen pas një serie skandalesh lidhur me etikën. Ai vazhdon të mbetet një figurë përçarëse mes ligjvënësve konservatorë të partisë së tij. Megjithatë, zoti Johnson gëzon mbështetjen publike të disa ish-kolegëve të kabinetit, mes tyre dhe ish-sekretarja e Brendshme Priti Patel. Për të kandiduar zotit Johnson i nevojitet mbështetja e 100 ligjvënësve konservatorë, mbështetje që duhet ta cilën sigurojë deri para orës 14:00 të ditës së hënë.
Një tjetër kandidat i mundshëm është ish-ministri i Financave Rishi Sunak, i cili përshpejtoi largimin e zotit Johnson nga detyra e kryeministrit, duke dhënë dorëheqjen në shenjë proteste ndaj tij në korrik. Zoti Sunak humbi ndaj zonjës Truss në një votim të anëtarëve të Partisë Konservatore pak më shumë se shtatë javë më parë, por ai u mbështet fuqishëm nga ligjvënësit e partisë së tij.
Sipas transmetuesit televiziv BBC zoti Sunak tashmë e ka arritur pragun e kërkuar të mbështetjes për t'u shpallur zyrtarisht kandidat. Sipas planeve kryeministri i ri duhet të zgjidhet deri më 28 tetor./VOA