Në një deklaratë të përbashkët pas takimit të sotëm mes kryeministrit britanik Boris Johnson dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, u paralajmërua se çdo sulm rus ndaj Ukrainës do të ishte një gabim i madh, duke premtuar se të dy vendet do të punojnë së bashku për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Kievit.
“Udhëheqësit kanë paralajmëruar se çdo inkursion i mëtejshëm rus në Ukrainë do të ishte një gabim i madh strategjik dhe do të kishte pasoja të mëdha humanitare”, thuhet në deklaratë.“Është jetike që Moska të kuptojë se do të ketë automatizëm në mënyrën se si ne i zbatojmë këto sanksione, në mënyrë që në momentin që të ketë një pushtim të mëtejshëm të territorit sovran të Ukrainës, ato sanksione do të zbatohen”, tha Johnson në një konferencë shtypi në Kiev, përcjell Reuters.
Kryeministri britanik paralajmëroi gjithashtu se pushtimi rus i Ukrainës do të çonte në një katastrofë ushtarake dhe humanitare. Ai tha se Rusia duhet të tërhiqet nga çdo veprim ushtarak dhe të vazhdojë me diplomacinë.
Ai deklaroi gjithashtu se Ukraina do t'i rezistojë çdo pushtimi dhe se gjëja më e dobishme që mund të bëhet në këtë moment është të arrihet te publiku rus, qytetarët e Rusisë, që të mendojnë për mundësinë për, siç tha ai, "realitetin që ushtria ukrainase do të luftojë".
“Ka 200.000 burra dhe gra nën armë në Ukrainë, ata do të ofrojnë rezistencë shumë të ashpër dhe të përgjakshme. Unë mendoj se prindërit në Rusi duhet të mendojnë për këtë fakt dhe shpresoj se presidenti Putin do të tërhiqet nga rruga e konfliktit dhe se ne do të fillojmë një dialog”, tha Johnson.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave të Britanisë, Simon Clark, deklaroi dje se Britania e Madhe do të sanksionojë kompanitë dhe njerëzit që kanë lidhjet më të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin nëse Moska ndërmerr ndonjë veprim kundër Ukrainës.