Kompozitori amerikan, John Williams bëri histori në Oscars gjatë një nominimi të shpallur sot për partiturën e Steven Spielberg “The Fabelmans“.
Në moshën 90-vjeçare, Williams është tani personi më i vjetër që është nominuar për një çmim Oscar, një rekord që më parë e mbanin tre persona të cilët ishin nominuar në moshën 89-vjeçare, kostumografja e “Ma Rainey’s Black Bottom“, Ann Roth; skenaristi i “Call Me by Your Name“, James Ivory; dhe regjisorja e “Faces Places” Agnès Varda.
Williams, i cili u nominua për një çmim Oscar për herë të 53-të, është personi i gjallë me më shumë nominime për Oscar. Ai është gjithashtu personi i dytë më i nominuar në historinë e Oscars, pas Walt Disney, me 59 nominime, dhe i vetmi person që është nominuar ndonjëherë për një Oscar në shtatë dekada të ndryshme.
Williams dhe Spielberg, të cilët u takuan në vitin 1972, kanë punuar së bashku për më shumë se 50 vjet./atsh