Nuk ka dialog të suksesshëm pa pjesëmarrjen direkte të Amerikës
Në këto momente vendimtare për Kosovën dhe ekzistencën e kombit shqiptar, është e panevojshme që liderët e Kosovës të merren me shamija dhe mbulesa të vajzave 16 vjeçare. Toleranca fetare e shumicës së popullit shqiptar duhet të kultivohet dhe të pasurohet. Ekstremizmat fetar nga të gjitha anët duhet të luftohen në çdo kohë dhe çdo nivel. Kjo duhet të bëhet me qetësi dhe me kujdes, pa shkaktuar përçarje dhe pa i dëmtuar interesat kombëtare.
Dialogu është mënyra më e mirë dhe faza e fundit e zgjidhjes së çdo konflikti. Për të patur sukses duhet të udhëhiqet nga mediatorë të paanshëm dhe që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive, pavarësisht interesave të ndryshme.
Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, që nga shpallja e pavarësisë, janë shembull i një dialogu të mbrapsht, të padrejtë, joparimor dhe me standarde të dyfishta nga ana e Evropës. Pa pjesëmarrjen direkte të Amerikës, i udhëhequr nga ndërmjetës pro-serb, ishte kryekëput në funksion të rehabilitimit dhe plotësimit të kërkesave ekspansioniste serbe. Kosova nuk fitoi asgjë. Dështim komplet dhe humbje kohe.
Qeverisja e Republikës së Kosovës, e dalur nga zgjedhjet e fundit po përpiqet të punojë drejt dhe në mënyrë konstruktive për ta zgjidhur problemin me Serbinë dhe për ta ruajtur paqen. Ajo është zgjedhur nga populli i Kosovës për t’i mbrojtur interesat e Kosovës dhe të askujt tjetër. Duhet të qëndrojë dhe të mos ju nënshtrohet presioneve joparimore nga të gjitha anët. Politika e dështuar e nënshtrimit dhe lëshimeve ndaj kërkesave serbomadhe është e papranueshme. “Përkrahja” ndërkombëtare për shkatërrimin e shtetit të Kosovës nuk i duhet gjë askujt.
Thjesht dhe qartë. Nuk ka ndryshim të kufijve dhe ndarje të Kosovës. Nuk mund të shpërblehet agresori serb me tokë shqiptare. Boll na ka plaçkitë dhe na ka vra. Ekstraterritorialiteti i manastireve ortodokse të Kosovës nuk bën lejohet. Nuk mund të bëhen Asociacione të pastërta etnike në një shtet multi-etnik. Ato janë kundërkushtetuese, kundër vlerave demokratike, kundër interesave afatëgjatë shqiptare, evropiane dhe amerikane. Ato janë formulë për vazhdim të konfliktit pafund. Po të pranohej Asociacioni i komunave serbe, Kosova nuk do të ekzistonte më si shtet.
Serbia dhe Perëndimi duhet ta kuptojnë se të gjitha kompromiset dhe lëshimet e Kosovës kanë përfunduar. Ata politikanë, diplomat dhe mendimtarë brënda ose jashtë Kosovës, që trumbetojnë se Serbisë duhet dhënë tokë për ta siguruar njohjen dhe ti falen krimet, janë budallenjtë më të mëdhenj të shekullit. Apetitet grabitçare të Serbisë nuk shuhen kurrë. Me te mund dhe duhet të bisedohet vetëm për njohje të dyanëshme dhe çështje ndërshtetërore, asgjë tjetër. Pikë.
Marrëveshjet e dëmëshme të nënshkruara nga qeverisjet e kaluara të shantazhuara, nuk ka nevojë të pranohen as të implementohen. Asnjë shtet normal nuk e bën këtë. Ato duhet të çvlerësohen dhe zëvendësohen me marrëveshje të dobishme për të dyja palët në konflikt.
Reciprociteti në të gjitha fushat është formula e vetme për të arritur sukses dhe ulur Serbinë aty ku e meriton. Nuk ekziston asnjë arsye që pakica serbe në Kosovë të gëzojë më shumë të drejta se sa populli shqiptar që jeton në tokat e veta stërgjyshore të okupuara nga Serbia, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Asnjë!
Njohja e shtetit të Kosovës është edhe në interes të Serbisë. Ajo do ta kuptojë këtë vetëm kur të shërohet nga sëmundja e urrejtjes, dëshirës për dominim dhe grabitjes së tokave të tjerëve. Me ledhatime dhe lëshime nuk shërohet, vetëm me presion të vërtetë ekonomik dhe diplomatik, si dhe në rast nevoje me përdorim të forcës. Diktatorët dhe kriminelët si Vuçiq dhe Putin e kuptojnë vetëm gjuhën e forcës. Është e sigurt se krimineli Putin do ta humbë luftën e padrejtë pushtuese kundër Ukrainës. Edhe Vuçiqi nëse guxon ta fillojë luftën, do ta humbë edhe luftën edhe Serbinë.
Këta dy individ të shpifur, po ndihmohen dhe nga karikaturat politike të Ballkanit, Dritan Abazoviq dhe Ali Ahmeti, një pjesë e madhe e opozitës së dështuar të Kosovës, si dhe nga shumë gazetarë analista të shitur dhe mediat e tyre të kontrolluara nga grupe interesi anti-shqiptare.
Sidomos janë befasuese dhe dëshpëruese veprimet e opozitës së Kosovës, e cila është e koncentruar e tëra në kritika (sharje) të pozitës, vend e pavend, pa kurrëfarë logjike, vetëm me qëllim të rrëzimit të qeverisë Kurti, edhe kur ato veprime mund të iu shërbejnë interesave të armikut serb. Shihet se nuk kanë mësuar asgjë nga dështimet e mëparëshme që e sollën Kosovën para shkatërrimit.
Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti me bashkëpuntorët e tyre, pavarësisht nga vështirësitë e shumta, deri tashti, janë duke e udhëhequr me sinqeritet, atdhedashuri, aftësi, mençuri dhe kompetencë shtetin e Kosovës. Nuk janë pa gabime, por jo në çështjet madhore shtetërore dhe nacionale. Shihet se ata e kanë zgjedhur rrugën e vështirë të lavdisë kombëtare, jo rrugën e lehtë të përuljes ndaj të huajve dhe nënshtrimit ndaj Serbisë.
Qeverisja e shtetit nuk është e lehtë, presionet për kompromise janë të shumta dhe mund të ndodhin gabime. Por është me rëndësi që të lëshohet pe në çështje të vogla, kurrsesi në ato me rëndësi strategjike shtetërore dhe kombëtare. Përkrahja popullore ka rëndësi vendimtare për ardhmërinë e çdo politikani. Mashtrohen ata që mendojnë se mund të fitojnë vota të mjaftueshme për pushtet me servilitet ndaj të huajve dhe forcave të errëta anti-kombëtare.
Koordinimi dhe bashkëveprimi me SHBA-të është me rëndësi ekzistenciale. Duhet kërkuar dhe gjetur forma të ndryshme të bashkëpunimit dhe krijimit të lidhjeve më të forta me Amerikën. Kjo nuk nënkupton servilitet dhe dëgjim të pakusht. Amerika nuk i do miqtë qyqana. I do dhe respekton ata që dijnë çka dojnë dhe si të punojnë. Ajo është e hapur dhe i konsideron me vëmendje faktet dhe argumentet serioze. Interesat tona strategjike përputhen me ato të Amerikës. Qëndrimet e ndryshme duhet të trajtohen me respekt, kujdes dhe diplomaci.
Nëse shovinistët serb ia arrijnë të depërtojnë të ndonjë zyrtar i Administratës apo Kongresit amerikan, ekziston forma legale e veprimit për t’i kundështuar dhe neutralizuar. Shembull i ndritshëm i organizimit profesional shumë të suksesëshëm lobist në Washington është Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane e udhëhequr nga legjendat e veprimit lobist Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi me 35 vjet punë në shërbim të kombit shqiptar. Joe Dioguardi ishte tmerri i Milosheviqit, e tha ai vetë gjatë gjykimit në Hagë.
Edhe pa njohjen e pavarësisë nga Serbia, me udhëheqje të mirë shtetërore dhe bashkëpunim gjithëkombëtar në të gjitha fushat, Kosova Dardane mund të bëhet shembull i demokracisë dhe shtetit ligjor në Gadishullin Ilirik. Fitorja është e jona dhe varet nga ne.
*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane