Jetmir Topalli është njëri nga lojtarët më premtues që ka dalë si produkt i futbollit kosovarë dhe tashmë luan në Superligën e Turqisë, te skuadra e ?stanbulsporit.
Nga ndeshja në ndeshje, ai po bëhet njëri nga emrat më të rëndësishëm të kësaj skuadre dhe synon ngritje të formës nga ndeshja në ndeshje.
“Aventura në Turqi është duke shkuar mjaftë mirë. Kuptohet që në fillimet e saja ka pasur shumë vështirësi si në përshtatje, si në aspektin teknik, taktik edhe fizik, por me punë dhe përkushtim dhe pas një kohë gjithçka është duke shkuar shumë mirë dhe patjetër që është duke më ndihmuar shumë që të afirmohem si lojtar duke pasur parasysh që luan kundër lojtarëve që kanë kualitete të larta, lojtarë me emra që kanë luajtur nëpër klube të mëdha. Dallimi mes kampionatit të Superligës së Turqisë dhe Superligës së Kosovës, të jem i sinqertë është shumë i lartë si në aspektin teknik, taktik edhe fizik, pasi që këtu ka lojtarë më kualitete të larta që kanë luajtur nëpër klube të mëdha, lojtarë me emra të mëdhenj, kështu që këto janë disa gjëra të vogla që e bëjnë dallimin ndërmjet Superligës së Kosovës dhe Superligës së Turqisë”, tha Topalli.
Me paraqitjet e tij të mira dhe duke dhënë maksimumin, Topalli thotë se ka për synim kryesor që ta bind federatën dhe trajnerin e Kombëtares së Kosovës që ta ftojë për ndeshjet e muajit shtator.
24 vjeçari thotë se ende nuk është kontaktuar nga drejtuesit e federatës, por shpreh gatishmëri të madhe për ta ndihmuar Kosovën. Sipas tij, një thirrje nga Kosova do ta ndihmonte atë edhe në karrierën e tij personale.
“Jo, për momentin nuk kam pasur kontakt me dikë prej federatës, patjetër që jam duke pritur por kjo mbetet të shihet gjatë këtyre ditëve. Ftesa e Kosovës do të kishte qenë mjaftë e mirë për mua në këtë kohë duke pasur parasysh që transferi i janarit do të vijë shumë shpejtë por gjithashtu edhe fundi i verës do të më kishte ndihmuar shumë që bëja një transfer në ndonjë klub më të madh dhe në momentin që bëjë transferim në ndonjë klub më të madh kuptohet që afirmohesh si lojtar, rritesh si lojtar dhe do jesh ende më i gatshëm t’i ndihmosh Kosovës për suksese të reja. Gjithmonë ka qenë prioritet të jem pjesë e Kosovës kështu që për momentin jam duke e pritur ftesën e Kosovës dhe shpresoj ta arrijë atë.”, theksoi më tutje Topalli.
“Pa tjetër që futbolli në Kosovës është duke u rritur dita e ditës, kjo kupton me faktin që Ballkani bëri historinë. Shpresoj që në Kosovë të përmirësohet pjesa e infrastrukturës dhe pse jo çdo vit mos ta quajmë më histori por ta bëjmë të rrugës që çdo vit të marrim pjesë në Evropë. Kam përcjellë të gjitha lojërat e Ballkanit në Evropë, kanë bërë një lojë tepër të mençur dhe një lojë tepër të mirë. Patjetër që jam i lumtur pasi që një ish-klub i imi të jetë pjesë e grupeve të Ligës së Konferencës . Iu dëshirojë shumë sukses dhe iu them urime prej presidentit Arsim Kabashi dhe të gjithë shokëve të mi që luajnë aty dhe shpresoj që të kenë fat edhe në grupet e Ligës së Konferencës dhe të vazhdojnë që dita e ditës ata të kenë suksese edhe më të mëdha”, tha në fund Topalli.
Pasi e eliminoi Shkupin, Ballkani është kualifikuar për në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës dhe do përballet me skuadra si Sllavia Praga, CFR Cluj dhe Sivasporin.