Jep dorëheqje drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ja kush emërohet ushtrues detyre
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) njofton se pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, e ka emëruar Zana Spahiu në pozitën e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të transmetuesit publik.

“Ky vendim i bordit ka ardhur pasi që me datën 23.05.2024 Shkumbin Ahmexhekaj ka paraqitur dorëheqjen e tij nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Sipas kërkesës dhe përcaktimit nga ana e tij, dorëheqja do të jetë efektive nga data 08.07.2024, gjë për të cilën ka marrë edhe dakordimin e Bordit të RTK-së në mënyrë që të kryhen punët që kanë qenë në proces, përfshirë edhe pjesëmarrjen në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Bordi i RTK-së fillimisht e kishte emëruar Ahmetxhakaj ushtrues të detyrës së drejtorit të përgjithshëm më 19 janar 2022, pas shkarkimit të ish-drejtorit Kastrati, ndërkaq pas një procesi transparent dhe meritokratik, ai është zgjedhur dhe emëruar më 20.06.2022 drejtor i përgjithshëm i RTK-së.

“Bordi i RTK-së falënderon z. Ahmetxhekaj për bashkëpunimin e deritanishëm. Me z. Ahmetxhekaj Bordi ka pasur një bashkëpunim korrekt, ndërkaq javë më parë ka pasur mospajtime dhe qasje të ndryshme lidhur me rastin e dhunës psikike që ka ushtruar drejtori i radios z. Arsim Halili ndaj disa grave në RTK, veçanërisht ndaj udhëheqëses së zyrës ligjore. Bordi ka pritur që drejtori i përgjithshëm ta trajtojë këtë rast konform përgjegjësive të tij. Bordi rithekson që dhuna psikike dhe çfarëdo lloj presioni i ngjashëm nga kushdo ndaj kujtdo, janë të papranueshme dhe nuk do të lejohen në RTK”, thuhet në njoftim.  

Sipas njoftimit, Spahiu tani ushtrues e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, është e diplomuar në Universitetin e Prishtinës - Fakulteti Juridik. Nga viti 2010 ajo filloi punën në RTK si juriste, derisa në vitin 2022 u zgjodh udhëheqëse e zyrës Ligjore në RTK. Ajo ka mbi 14 vjet përvoje pune në fushën ligjore.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024