Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së po kundërshton procesin e riverifikimit, përmes ligjit të ri. Pa përfundimin e procesit gjyqësor, Xhavit Jashari thekson se askush nuk ka të drejtë të krijojë komisione të tjera. Madje, siç thotë ai, kryeministri Albin Kurti nuk duhet ta luajë rolin e prokurorit e as të gjykatësit. Jashari pohon se ka mospajtime me organizatat e dala nga lufta, sa i takon ligjit të ri vetëm për veteranët, që nënkupton riverifikimin e statusit të tyre.
Një vit më parë, ka kaluar në lexim të parë projektligji në parim për pagën minimale prej 264 euro bruto. Që nga ajo kohë, ka mbetur i pamiratuar në lexim të dytë, për shkak të kërkesave të veteranëve për përfshirje në këtë projektligj. Në të njëjtën kohë, janë organizuar edhe protesta nga veteranët pranë objektit të Kuvendit të Kosovës.
Për më tepër, ai thekson se procesi që përfshin verifikimin e statusit të veteranëve, nuk mund të bëhet “sa herë i teket” politikës.
Përfaqësuesi i OVL-UÇK-së shton se ka qenë edhe kërkesë e tyre në fillim që të bëhet verifikimi i veteranëve, meqë nuk ka pasur shifra të sakta.
Sipas saj, kryeministri Albin Kurti duhet të bisedojë me shoqatat e dala nga lufta që të ketë një zgjidhje për këtë kategori.
Shefi i ekzekutivit ka pranuar ditë më parë se ka mospajtime me Organizatën e Veteranëve të Luftës për rregullimin e statusit të tyre. Ai ka përsëritur qëndrimin përmes hartimit të një ligji të ri të nis procesi për verifikimin për veteranët.
Që nga viti 2018, Prokuroria Speciale është duke akuzuar 12 persona për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës që kanë qenë pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit-Veteranit. Aktakuza është ngritur nga prokurori special Elez Blakaj, i cili ka pretenduar se 19 mijë prej veteranëve janë përfitues të rremë. Ky rast, në vitin e kaluar është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit./Sh.Pajaziti