Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka reaguar pas deklarimeve të ministres së Arsimit Arbërie Nagavci, se mësimdhënësit që do të aplikojnë për t’u pajisur me licencë të avancuar do t’i nënshtrohen testit me shkrim.
Ai në një deklaratë për media ka thënë se ministrja Nagavaci nuk është zëri i mësimdhënësve në Qeveri pasi ajo asnjëherë nuk ka pranuar kërkesat e SBASHK-ut për mbajtjen e një takimi të përbashkët në të cilin do të diskutohej mbi kushtet në të cilat punojnë aktualisht mësimdhënësit në Kosovë.
Ai ka përkujtuar se sa të ketë SBASHK, nuk do të ketë test me shkrim për njohuritë e mësimdhënësve.
“Ministrja Nagavci duke e parë se në Këshillin Shtetëror për Licencim nuk mund t’i kalojë planet e saj kundër mësuesve të Kosovës, pa u bërë publike e pa u zhvilluar debate, udhëzoi bashkëpunëtorët e saj dhe disa të tjerë dhe e hoqën nga përbërja e Këshillit Shtetëror të Licencimit të Mësimdhënëse përfaqësuesin e vetëm të tyre - SBASHK-un. Pse? Për të bërë eksperimente e për të vendosur çdo gjë kundër punëtorëve të arsimit, pa pasur kush të kundërshtojë e të bëjë publike këto angazhime të saj”, ka theksuar Jasharaj.
“Një vit e më shumë kaluan dhe ende nuk është saktësuar, se cilat trajnime do të licencohen dhe nuk dihet se cilat do të licencohen sepse përfaqësuesi i punëtorëve të arsimit nuk është në Këshillin Shtetëror të Licencimit të Mësimdhënësve. Nuk është në këtë Këshill, sepse i ka penguar Nagavcit e të tjerëve që kanë dashur ta nënçmojnë mësuesin e ta mbajnë nën tensionin e të ashtuquajtur test”, ka shtuar Jasharaj.
Ai ka thënë se Nagavci, duke joshur me gradimin, e ka plan për t’i dërguar e degraduar të gjithë mësimdhënësit në testin me shkrim, andaj duhet pasur kujdes në këtë drejtim.
Ndryshe, ministrja Nagavci, ka shprehur bindjen se mësimdhënësit do të aplikojnë për t’u pajisur me licencë të avancuar që nënkupton nënshtrimin e testit me shkrim. Ajo ka deklaruar se kanë miratuar udhëzimet administrative, të cilat rregullojnë procesin e licencimit dhe avancimit në karrierë të mësimdhënësve, si dhe vlerësimin e performancës së tyre.