Ja kur do të vijnë në Kosovë milionat e BE-së
Tema
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Ja kur do të vijnë në Kosovë milionat e BE-së
Kosova BE
01/03/2026 - 11:19
Linku u kopjua

Rreth 60 milionë euro parafinancim nga Bashkimi Evropian, të parapara në kuadër të Planit të Rritjes për Kosovën, ende nuk janë disbursuar, ndonëse marrëveshjet janë ratifikuar para dy javësh në Kuvend. Në Unionin Evropian konfirmojnë se Kosova ka paraqitur kërkesën për lirimin e këtyre mjeteve dhe se janë në kompletimin e procedurave. Ardhjen e këtyre milionave për Kosovën po e presin edhe deputetët e pozitës dhe opozitës.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian tregon për KosovaPress, se kur do të disbursohen mjetet e para për Kosovën.

Mes tjerash, në përgjigjen e tij për agjencinë tonë, theksohet edhe disa kritere politike, si domosdoshmëria e respektimit të mekanizmave demokratikë dhe angazhimi konstruktiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Kosova ka paraqitur kërkesën për lirimin e parafinancimit deri në 7% të shumës totale të paraparë në kuadër të këtij Instrumenti. Tashmë që marrëveshjet që lidhen me Instrumentin për Reforma dhe Rritje janë ratifikuar, Kosova ka të drejtë të marrë parafinancimin. Pasi këto ligje të shpallen zyrtarisht dhe t’i komunikohen komisionit, si dhe me kusht që të përmbushen kushtet e përgjithshme (stabiliteti makroekonomik, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit) dhe parakushtet (respektimi dhe zbatimi i mekanizmave demokratikë, si dhe angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës), mund të bëhet disbursimi i fondeve në kuadër të Planit të Rritjes”, thuhet në përgjigjen e tij.

Sa i përket mjeteve të tjera financiare, Komisioni Evropian thekson se Kosova ka afat deri më 30 qershor për të përmbushur 13 reforma të parapara, pasi kjo datë shënon përfundimin e periudhës së lejuar. Mosraportimi i suksesshëm brenda afatit rrezikon humbjen e kësaj pjese të financimit.

“Sa i përket kërkesave të rregullta për pagesë, rikujtojmë se Kosova ka afat deri më 30 qershor të këtij viti për të përmbushur 13 reformat, pasi kjo datë shënon përfundimin e periudhës së hirit. Nëse Kosova nuk arrin të raportojë me sukses brenda afatit, rrezikon të humbasë këtë pjesë të financimit”, theksohet në përgjigjen e tij.

Nga shumica parlamentare, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, thotë për KosovaPress, se institucionet janë të interesuara që fondet të disbursohen sa më shpejt, duke pranuar se procesi është vonuar për shkak të ngërçit politik në vend.

Ai nënvizon nevojën për projekte konkrete dhe përmbushje të kritereve, në mënyrë që Kosova të sigurojë edhe fondet e tjera të parapara në Planin e Rritjes.

Në anën tjetër, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, e cilëson të domosdoshëm votimin e marrëveshjeve në Kuvend, duke theksuar se mosmiratimi i tyre do t’i sillte humbje financiare vendit. Ajo kërkon nga Qeveria që të ketë qartësi në procesin e alokimit të buxhetit dhe të përcaktojë prioritetet se ku do të orientohen mjetet e përfituara.

Më 13 shkurt, legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës ratifikoi marrëveshjet ndërkombëtare me Bashkimin Evropian.

Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese. Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629,3 milionë eurosh janë hua afatgjata.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026