Izraeli urdhëron evakuime të reja në strehën e fundit të Gazës
Lexohet për: 2 min.
Gaza
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Izraeli urdhëroi evakuime të reja në qytetin jugor të Gazës, Rafah, të shtunën, duke detyruar dhjetëra-mijëra njerëz të tjerë të lëvizin ndërsa përgatitet të zgjerojë operacionin e tij ushtarak më afër zonës qendrore të populluar, në kundërshtim me presionin në rritje nga aleati i ngushtë SHBA dhe të tjerët.

Ushtria izraelite tha gjithashtu se po lëvizte në një zonë të Gazës veriore të shkatërruar, ku pohoi se grupi militant Hamas është rigrupuar. Izraeli tani ka evakuuar pjesën lindore të Rafah, e cila konsiderohet si streha e fundit në Gaza. Rafah kufizohet me Egjiptin pranë pikave kryesore të hyrjes së ndihmës, të cilat tashmë janë prekur. Trupat izraelite kanë kapur anën e Gazës të vendkalimit Rafah, duke e detyruar atë të mbyllet.

Presidenti Biden ka thënë se nuk do t'i sigurojë Izraelit armë sulmuese për Rafah. Të premten, SHBA tha se kishte prova "të arsyeshme" se Izraeli kishte shkelur ligjin ndërkombëtar që mbronte civilët në mënyrën se si e zhvilloi luftën e tij kundër Hamasit - deklarata më e fortë që administrata Biden ka bërë për këtë çështje.

Më shumë se 1.4 milion palestinezë - gjysma e popullsisë së Gazës - janë strehuar në Rafah, shumica pasi u larguan nga ofensivat e Izraelit diku tjetër. Disa palestinezë po dërgohen në ato që Izraeli i ka quajtur zona të sigurta humanitare përgjatë brezit bregdetar Muwasi në Gaza. Por zona tashmë është e mbushur me rreth 450 mijë njerëz në kushte të mjerueshme, me kampin e mbushur me mbeturina që i mungojnë lehtësirat elementare. Luftimet e ashpra janë duke u zhvilluar edhe në Gazën veriore, ku Hamasi duket se është rigrupuar në një zonë ku Izraeli ka nisur sulmet, sipas mediave britanike.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Avichay Adraee u tha palestinezëve në Jabaliya dhe Beit Lahiya dhe zonat përreth të largohen nga shtëpitë e tyre dhe shkojnë në strehimore në perëndim të Gazës, duke paralajmëruar se njerëzit ishin në "një zonë të rrezikshme luftimi" dhe se Izraeli do të godiste me "forcë të madhe".

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024